Partitë politike në takimin e së hënës të katër liderëve partiakë hyjnë me qëndrimet tashmë të njohura për zgjidhjen e krizës politike, që lënë shumë pak hapësirë për optimizëm për kapërcimin e gjendjes së rëndë, në të cilën ndodhet Maqedonia.
Bisedimet ndërmjet liderëve të VMRO-DPMNE-së, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), do të përqendrohen në formatin e qeverisë së re që duhet të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Por, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, do të ndalen edhe në kritikat e shumta të bashkësisë ndërkombëtare, e cila kërkon reforma rrënjësore deri në mbajtjen e zgjedhjeve në prill të vitit të ardhshëm. Dallimet kryesore ndërmjet partive kanë të bëjnë për atë se kush do të drejtojë qeverinë e re.
“Qëndrimet tona mbeten të pandryshuara, arritjen e një marrëveshjeje për qeverinë, e cila në bazë të asaj për të cilën jemi marrë vesh, do të organizonte zgjedhjet e ardhshme. Në këtë qeveri nuk do të ketë vend për Nikolla Gruevski, i cili është i përfshirë në krime të rënda së bashku me partinë e tij, VMRO DPMNE. Një grup i tillë njerëzish nuk mund të ofrojë as zgjidhje, e as që mund të jetë pjesë e zgjidhjes për kapërcimin e krizës së rëndë, në të cilën ndodhet vend“, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së.
Kryeministri Nikolla Gruevski, nga ana tjetër, mbetet në pozicionet tashmë të njohura se “për përbërjen e qeverisë vendos populli në zgjedhje dhe jo opozita”, e cila, sipas tij, “me aferën e përgjimeve dhe bisedat e montuara telefonike, e ka futur vendin në krizë të thellë politike”.
Në prononcimin e fundit për “Financial Times”, Gruevski qartë ka bërë me dije se do të pranojë të gjitha kërkesat e opozitës për përmirësimin e kodit zgjedhor dhe të kërkesave tjera për mbarëvajtje sa më të mirë të zgjedhjeve, por jo edhe kërkesën për dorëheqjen e tij.
Qeveria që drejton Gruevski, pa opozitën, e cila bojkoton institucionet, ka nisur me miratimin e një plani për zbatimin e rekomandimeve të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me kritikat e shumta në adresë të qeverisë.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri, lideri i së cilës, Ali Ahmeti, do të pjesë e takimit të liderëve të së hënës, kanë shprehur doza optimizmi për zgjidhjen e krizës, e cila, sipas BDI-së, duhet të ketë një epilog të bazuar në marrëveshjen preliminare të 2 qershorit, kur edhe u vendos që zgjedhje të parakohshme të ketë deri në prill të vitit të ardhshëm.
“Partitë duhet që interesat e qytetarëve dhe të shtetit t’i vendosin mbi interesat partiake dhe të tregojnë kapacitetet shtetërore në këtë periudhë të vështirë për shtetin“, thuhet në një prononcim me shkrim të BDI-së.
Duke komentuar qëndrimet e partive, njohësit e çështjeve politike nuk janë shumë optimistë se në takimin e së hënës do të ketë zgjidhje përfundimtare të krizës.
Mersim Maksuti, njohës i çështjeve juridike, thotë se në qeverinë e re, qoftë ajo e ekspertëve, apo e ndonjë formati tjetër, nuk duhet të ketë vend për kryeministrin aktual, Nikolla Gruevski, apo për ministrat e përfshirë në krimet, për të cilat flitet në atë që njihet si aferë e përgjimeve.
“Vlerësoj se në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që kryeministri aktual, Nikolla Gruevski, të vazhdojë të drejtojë qeverinë, e cila do të ketë për obligim të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe demokratike. Kjo qeveri e ka humbur besimin e qytetarëve, ata kanë humbur besimin në institucione, andaj edhe nuk do të kishte kuptim apo nuk duhet të vijë në shprehje që kjo garniturë e ministrave të vazhdojë të udhëheq me qeverinë edhe në të ardhmen dhe t’i përgatisë zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni“, vlerëson Maksuti.
Jozyrtarisht një nga variantet e mundshme në bisedimet e së hënës do të jetë edhe ajo që kriza të zgjidhet përmes ndryshimit të kodit zgjedhor, në të cilin do të vendoset formulimi që kryeministri jo vetëm i kësaj qeverie, por edhe i qeverive në të ardhmen, të dorëhiqet deri në 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare.
Kjo, siç bëhet e ditur, do të hapte rrugën për largimin nga qeveria të Gruevski, i cili në një rast të tillë nuk do të ndjehej si humbës, pasi dorëheqjet e tilla do të vlenin edhe për qeveritë e reja.
Kriza politike në Maqedoni ka kulmuar në muajin shkurt kur opozita nisi me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe kryeministrin Nikolla Gruevski, me të cilat sipas opozitës, “dëshmohen krime të shumta ekonomike e financiare, si dhe ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e gjyqësorit, në media, në falsifikimin e zgjedhjeve e keqpërdorime tjera“.
Por, këta akuza janë hedhur poshtë nga qeveria me pretendimin se ato janë të montuara dhe të siguruara nga shërbime sekrete të huaja me qëllim destabilizimin e Maqedonisë.