Numri i të rinjve në Kosovë që përdorin substanca narkotike vlerësohet të jetë i lartë, por që shifra të sakta të përdoruesve mungojnë.
Sidoqoftë, sipas organizatave që merren me trajtimin e këtyre personave, vlerësohet se mbi 20 mijë është numri i të rinjve që përdorin drogën e llojit marihuanë.
Mosha mesatare e atyre që fillojnë për herë të parë të abuzojnë me narkotikë është 16 vjeç, si në zonat urbane po ashtu edhe ato rurale.
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Drogë dhe Trafikimit të Paligjshëm, autoritetet e rendit kanë thënë se kjo dukuri është në rritje si në tregun global po ashtu edhe në Kosovë.
Bajram Nuhiu nga Policia e Kosovës, ka thënë se edhe pse mungon një regjistër kombëtar sa i përket abuzuesve të narkotikëve, supozohet se deri në pesë mijë është numri i personave që konsumojnë heroinë.
“Në bazë të raporteve vendore dhe ndërkombëtare numri i personave që konsumojnë heroinë është nga 3 deri në 5 mijë, kurse marihuanë 10 mijë prej atyre që e kanë përdorur dhe që e përdorin pak më gjatë, ndërsa 20 mijë është numri i atyre që së paku një herë kanë eksperimentuar me marihuanën”, ka thënë Nuhiu.
Ai ka shtuar se në Kosovë funksionojnë gjashtë qendra për trajtimin e këtyre personave, kurse nuk ka një qendër të rehabilitimit, që është shumë e nevojshme.
Defektologu Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se kohëve të fundit në Kosovë droga e tipit heroinë është në rënie nga përdoruesit, por që ka rritje të përdoruesve të marihuanës.
Megjithatë Blakaj, tregon se në tre muajt e fundit të këtij viti, ka mungesë të madhe në treg të drogës së llojit marihuanë, si dhe çmimi i saj është trefishuar.
Blakaj shpreh shqetësimin se në mungesë të saj, si zëvendësim të rinjt mund të përdorin droga më të rrezikshme.
“Kjo po na shqetëson, sepse secila drogë e zëvendëson një lloj të drogës tjetër dhe jemi në hulumtim që t'i paraprijmë parandalimeve të drogave specifike, apo drogave të reja të dizajnuara, që supozojmë se mund të paraqiten në këtë situatë. Çmimi është dy-treshifruar dhe qasja është më e vështirë. Sa kemi informacion, ka një ngritje të lehtë të substancës, GHB”, ka thënë Blakaj.
Substanca GHB është akronim i formulës kimike Gama Hidro Glabulin.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjegjësisht në Klinikën e Neuropsikiatrisë trajtohen rastet që kërkojnë ndihmë.
Doktoresha Shukrije Statovci, tregon se trajtimi i personave që konsumojnë substanca narkotike në këtë klinikë është ambulator dhe spitalor.
Ajo tha se gjatë këtij viti janë trajtuar 39 persona të varur nga llojet e ndryshme të drogave.
“Vitin e kaluar, numri i tyre ka qenë 76, do të thotë se kanë qenë të shtrirë dhe iu kanë nënshtruar një programi i cili i ndihmon të tejkalojnë vështirësitë të cilat ndodhin kur personi ka tendenca dhe dëshirë të ndërpres abuzimin me substanca", ka thënë Statovci për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të drogave, luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.