Ndërlidhjet

Balija: Investitorët ka rrezik të ikin nga Kosova


“Mungesa e qasjes serioze ndaj investitorëve të huaj të cilët e kanë shtrirë kapitalin e tyre në Kosovë ka rrezik largimin e tyre nga vendi ynë. Largimi i këtyre investitorëve do ta degradon edhe më tutje nivelin e rritjes ekonomike që Kosova e ka pasur deri më tani”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Balija, autoritetet në Kosovë në fokus kanë tërheqjen e investitorëve të huaj, por çfarë është duke bërë qeveria për të mbajtur këta investitorë që tani më e kanë të shtrirë kapitalin e tyre në Kosovë?

Shpend Balija: Ekziston çdo herë një diskutim i imagjinuar në kuptimin se flasin për investitorë potencial, t’i joshin investitorët e huaj, mirëpo këtu në vendin tonë kemi kompani shumë serioze, shumë kredibile, të cilat kanë sjellë me qindra miliona euro kapital dhe gjithashtu punësojnë mijëra njerëz e të cilat po ballafaqohen me probleme shumë të mëdha.

Kërkesat e tyre ne po mundohemi përmes Këshillit të Investitorëve Evropian t’i adresojmë te qeveria dhe të jemi më afër qeverisë që të bashkëpunojmë dhe t’i kalojmë këto sfida.

Por, sa e kam vërejtur unë deri më tani, nuk ka një qasje serioze të qeverisë për investitorët aktual që janë në Kosovë. Ata po vazhdojnë të ballafaqohen me probleme dhe askush nuk i dëgjon problemet e tyre. Në deklaratat e krerëve të institucioneve të Kosovës ka interes që të joshin investitorët e huaj, por ambasadori më i mirë që mund të dërgojë një mesazh pozitiv janë kompanitë që janë këtu duke operuar tani e sa vite.

Nëse ato janë profitabile dhe kanë sukses, atëherë edhe investitorët tjerë do të vinë në Kosovë të investojnë.

Radio Evropa e Lirë: Mosinteresimi i Qeverisë së Kosovës në njëfarë mënyrë për investitorët e huaj që tani janë në Kosovë, a mund të ndikojë që këto kompani të largohen nga Kosova?

Shpend Balija: Sigurisht kjo do të ndikojë dhe është një pikë e rëndësishme që e cekët, për shkak se largimi i këtyre investitorëve e degradon më tutje nivelin e rritjes ekonomike që e kemi pasur, një rritje pozitive, por megjithatë Kosovës i duhet një rritje ekonomike shumë më e madhe.

Sipas Bankës Botërore ne kemi nevojë për rritje dyshifrore për disa vite, vetëm të jemi të barabartë me vendet e rajonit. Prandaj një rritje dy apo tre për qind nuk i mjafton Kosovës, dhe kompanitë vendore nuk mund ta zhvillojnë vendin pa investimet e huaja kapitale të cilat vinë nga vendet tjera, prandaj largimi i tyre është mjaft shqetësues.

Mendoj se ministritë relevante, trupat rregullativ dhe organizatat tjera nuk janë të koordinuara mes vete. Nëse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë që kemi rënie të investimeve të huaja dhe po dëshirojmë t’i joshim investitorët, atëherë Ministria e Financave çfarë po bën që t'ju krijojë kushte investitorëve këtu?

Tani kemi pakon fiskale që do të hyjë në fuqi, ndoshta në këtë vit apo vitin tjetër dhe problemi ekziston që një rritje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 16 përqind në 18 përqind dhe një zbritje e TVSH-së për disa produkte bazë në 8 për qind nuk krijon kushte të favorshme për bizneset.

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë ata investitorë evropian që tani janë në Kosovë?

Shpend Balija: Investitorët që ne i përfaqësojmë si Këshill i Investitorëve Evropian, janë kompani shumë kredibile si IPKO, Pro Credit Bank, NLB, Raiffeisen Bank, kompani tjera që merren me prodhim si Ferronikel, Sharrcem, kompani të sigurimeve, kompani farmaceutike nga Zvicra, kompani të shërbimeve financiare.

Të gjitha këto kompani dhe shumë të tjera janë të përfshira në Këshillin e Investitorëve Evropian. Kjo është një platformë ku Qeveria përmes nesh mundet ta dëgjojë zërin e këtyre investitorëve.

Radio Evropa e Lirë: Shihet qartë se investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie gjatë viteve të fundit, nga afër 500 milion euro sa kanë qenë në vitin 2007 në afër 200 milion euro në vitin 2014. Ku po qëndron problemi?

Shpend Balija: Sfidat kryesore të cilat çdo herë theksohen, siç është mungesa e sundimit të ligjit, mosefikasiteti i gjykatave në trajtimin e lëndëve ekonomike, korrupsioni, janë natyrisht probleme.

Por, unë do ta potencoj se përkundrazi këtyre problemeve Kosova mund të zhvillohet. Në asnjë shtet nuk ka pasur ndalje të korrupsionit të menjëhershëm, por çka është e rëndësishme, institucionet qeveritare, agjencitë dhe mekanizmat e pavarura të jenë të koordinuara.

Politikat fiskale duhet të jenë stimuluese në kuptimin ta nxisin prodhimin, ta nxisin zhvillimin e këtyre kompanive dhe ato pastaj do të paguajnë tatim në të ardhurat e tyre, por mos t’i tatojmë fillimisht, kur ata kanë kosto të mëdha të investimit.

Unë i bëj apel qeverisë dhe ministrive në përgjithësi, të jenë të koordinuara në mënyrë që të mbrojmë investitorët që i kemi dhe t’u krijojmë ambient afarist të favorshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG