Ndërlidhjet

Shqipëri: Rinis mësymja në Lazarat


Lazarat, foto nga arkivi
Lazarat, foto nga arkivi

Forcat e Reparti të Neutralizimit të Elementit të Armatosur, që ndryshe njihen edhe si forcat RENEA, kanë rinisur aksionin për kapjen e personave që vranë efektivin e tyre, Ibrahim Basha, një ditë më parë, në fshatin Lazarat të Shqipërisë.

Basha është qëlluar për vdekje të mërkurën, ndërsa dy pjesëtarë të tjerë policie, që ishin me të, kanë marrë plagë të rënda, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Forcat speciale po kryejnë kontrolle në çdo shtëpi.

Mbi 400 forca po mbajnë të rrethuar Lazaratin nga të gjitha anët, për të mos u dhënë mundësi personave të armatosur të largohen nga fshati.

Zona është mbajtur e rrethuar edhe gjatë natës. Deri më tash, nga hetimet e bëra në lokacionin ku ka ndodhur vrasja e policit, janë evidentuar rreth 10 vatra zjarri dhe janë sekuestruar mbi 100 gëzhoja Kallashnjikovi e mitrolozi, një granatë dhe një thikë.

Numri i lartë i gëzhojave tregon se ndaj forcave RENEA është qëlluar me breshëri, të cilat lanë të vdekur 31 -vjeçarin Ibrahim Basha dhe plagosën 2 efektivët e tjerë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4.00 të mëngjesit të së mërkurës. Forcat Renea hyjnë në Lazarat, mbasi rreth orës 2.30 u dëgjuan të shtëna nga fshati i njohur, dikur si kultivues i bimës narkotike kanabis dhe marihuana.

Policia shpalli në kërkim 21 persona si të dyshuar për sulmin dhe disa prej tyre që lëvizin të armatosur e me maska në brendësi të fshatit Lazarat. Emrat e këtyre personave u identifikuan nga policia dhe u bënë publik.

Deri tani , në drejtorinë e policisë së qarkut të Gjirokastrës, janë shoqëruar 15 prej personave që kishin emrin në listë, ndërkohë që policia u ka bërë thirrje të gjithëve që të dorëzohen.

Gjatë natës u vunë në funksion kamerat termike si dhe pajisjet tjera të teknologjisë amerikane për të mbajtur nën kontroll situatën.

Ambasada amerikane në Tiranë shprehu ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të policisë Ibrahim Basha, anëtarit të Forcave Speciale, dy herë pjesëmarrës në misione me forcat e NATO-s në Afganistan, që u vra në Lazarat.

“Mendimet tona janë edhe me dy oficerët që u plagosën në krye të detyrës në Lazarat”, thuhet në mesazhin e ambasadës.

Ajo mbështet përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe bën thirrje që autorët krimit të ndiqen penalisht dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit.

“Dënojmë me forcë çfarëdo dhune që drejtohet ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, mbyllet mesazhi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Ngjarja e Lazaratit është dënuar nga i gjithë faktori politik në Shqipëri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG