Jeta për banorët e Mosulit është mjaft e vështirë prejse militantët e Shtetit Islamik (IS) kanë marrë kontrollin e qytetit verior të Irakut, një vit më parë.
Por, gjërat janë përkeqësuar më shumë prejse grupi ekstremist sunit ka lëshuar disa urdhra të ashpër për muajin e shenjtë të Ramazanit.
Në listën e gjërave të ndaluara nga Shteti Islamik bën pjesë edhe loja me domino, ashtu si edhe loja tradicionale ‘mahibs’, të cilat argëtojnë banorët pasi përfundon agjërimi, me perëndimin e diellit.
Lojtarët e ‘mahibs’ formojnë dy ekipe; njëri prej tyre fsheh unazën në grusht, ndërsa skuadra kundërshtare bën përpjekje ta gjejë se në cilën dorë është. Në fund të lojës, lojtarët ulen së bashku, hanë ëmbëlsira dhe pinë pije të buta.
Me ndalimin e këtyre lojërave, militantët e Shtetit Islamik po bëjnë përpjekje të gjejnë mënyra të tjera argëtimi për banorët e Mosulit, të cilat janë në përputhje me intepretimin e tyre ekstrem të Islamit sunit. Militantët kanë nisur të organizojnë ndeshje të mundjes dhe gara vrapimi.
Grave, ndërkaq, ua kanë ndaluar të dalin nga shtëpitë para iftarit, apo vaktit të mbrëmjes.
Korrespondentët e Radios Iraku i Lirë po ashtu raportojnë se militantët e Shtetit Islamik kanë urdhëruar dyqanet ushqimore në Mosul që të mbeten të mbyllura gjatë gjithë ditës, deri pas iftarit.
Të gjitha këto ndalesa shihen si një formë tjetër e kontrollit shoqëror.
Shenja e parë që ka treguar se Shteti Islamik synon të zhdukë traditat e Ramazanit për myslimanët sunitë, ka ndodhur qysh në fëllim të muajit të shenjtë, javën e kaluar. Militantët kanë njoftuar se zonat nën kontrollin e tij, do të nisin Ramazanin më 19 qershor, ndryshe nga sunitët e tjerë që kanë nisur ditën e parë të agjërimit më 18 qershor.
Shteti Islamik ka ndaluar banorët e Mosulit edhe nga praktimi i namazit të mbrëmjes – lutje këto të posaçme që njihen me emrin “taravi” dhe bëhen vetëm gjatë Ramazanit.
Edhe pse nuk janë të detyrueshme, këto lutje konsiderohen si shprehje e përkushtimit dhe rekomandohen nga shumë dijetarë sunitë, përfshirë ata në Arabinë Saudite.
Por, militantët e Shtetit Islamik kanë thënë se ky namaz është “bid’ah”, një term islamik që do të thotë risi fetare. Sipas Shtetit Islamik, taravia është e shpikur nga klerikët në Arabinë Saudite.
Eksperti i Islamit në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Carool Kersten, thotë se ndalimi i taravisë tregon se sa mendjengushtë është grupi i Shtetit Islamik.
Sipas disa raporteve, secili që gjendet duke praktikuar taravinë, do të dënohet me goditje me kamxhik.