Në Shqipëri vazhdon procesi i numërimit të votave për pushtetin vendor, në 12 qarqet e vendit.
Gara për Tiranën ka qenë e ashpër në fushatë, por nga numërimi i votave, kandidati i Partisë Socialiste, Erion Veliaj, rezulton me një diferencë prej afro 40 mijë votash nga rivali demokrat, Halim Kosova.
Në konferencën për shtyp nga selia e Partisë Socialiste, Erjon Veliaj ka shpallur fitoren nga të dhënat paraprake.
Ai ka falënderuar ekipin mbështetës, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, por ka falënderuar edhe kandidatët kundërshtarë në garën për Tiranën, duke shënuar një precedent të ri në politikën shqiptare.
“Unë dhe ekipi im nuk jemi sundues të Tiranës, jemi administratorët e këtij qyteti. Kjo fitore është një përgjegjësi e madhe që qytetarët e Tiranës na kanë dhënë".
"Për ata që nuk na e dhanë mbështetjen këtë herë të parë me votë, ne do t’iu shërbejmë njësoj, pa i ndarë në të majtë e të djathtë. Do të jem kryeshërbëtor i këtij qyteti 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës”, ka thënë Veliaj.