Ndërlidhjet

Shqipëria në prag të zgjedhjeve vendore


Të dielën më 21 qershor, në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet vendore. Për herë të parë gjatë 24 viteve pluralizëm, në këto zgjedhje do të zbatohet reforma e re territoriale që ndan 12 qarqet e vendit në 61 njësi vendore ose bashki.

Dekriminalizimi

Ndërkombëtarët kanë theksuar që në nisje të fushatës, çështjen e dekriminalizmit.

Faktori ndërkombëtar, u ka bërë thirrje forcave politike, kryesisht partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe asaj Demokrate, që të spastrojnë listat nga emra, mbi të cilët rëndojnë dyshime për rekorde kriminale.

Ndonëse si ambasadori amerikan Donald Lu, ashtu edhe ambasadorja e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin, e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre, forcat politike kanë deklaruar se kandidatët e tyre janë të pastër.

Burime mediatike bëjnë me dije se një listë me emrat e kandidatëve të inkriminuar është shpërndarë nga ambasadat e huaja për partitë politike, por këto të fundit, nuk kanë reaguar.

Mëgjithatë, akuzat e ndërsjellta mes forcave politike janë të ashpra e direkte për emra kandidatësh të përfshirë në aktivitete të paligjshme.

Vetëm Partia Demokratike, ka reaguar në një rast, duke tërhequr kandidatin e saj nga gara për bashkinë e Këlcyrës.

Koalicionet në garë

Në këto zgjedhje përballen koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane, dhe koalicioni i djathtë Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet. Në koalicionin e majtë, 15 kandidatë për 61 bashkitë, janë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, aleati kryesor i Partisë Socialsite në pushtet.

Ndër bashkitë kryesore ku gara pritet të jetë e ashpër, janë Tirana, ku kandidojnë Erjon Veliaj nga Partia Socialiste, Halim Kosova nga Partia Demokratike, si dhe kandidatët e pavarur Gjergji Bojaxhi, Sazan Guri dhe Arben Tafaj.

Në Durrës përballë kandidatit të PS-së Vangjush Dako që kërkon mandatin e tretë, kandidon Grida Duma nga PD. Në Shkodër përballen dy zonja, Voltana Ademi për Partinë Demokratike dhe Keti Bazhdari për Partinë Socialiste. Në Elbasan, përballë Qazim Sejdinit të PS-së që kërkon mandatin e tretë, është Ardian Turku i PD-së.

Problematika e fushatës

Fushata për zgjedhjet e 21 qershorit, ka ngritur problemin e financimit dhe fondeve të partive. Sipas përllogaritjeve, mënyra e organizimit të fushatës, reklamat televizive, infrastruktura e fushatës, takimet elektorale dhe transmetimet televizive, janë financime që nuk justifikohen dot me shifrat që publikohen në KQZ dhe që jepen për mediet.

Por, të gjitha forcat politike nuk bëjnë transparente të ardhurat shtesë për fushatë.

Parregullësitë e para të denoncuara deri më tani, janë pretendimet për regjistrimin e zgjedhësve të importuar në zona të ndryshme.

Partia Demokratike pretendon se Partia Socialsite po regjistron punonjës të administratës nën presion, për të shtuar votat në Durrës, ndërsa socialistët akuzojnë demokratët se po regjistrojnë në mënyrë fiktive zgjedhës në Bashkinë e Vlorës.

Gjithashtu, shit-blerja e votës mbetet një problem, për të cilin si ambasadori amerikan ashtu dhe ambasadorja e BE-së u kanë bërë thirrje publike shqiptarëve që të mos shesin votën e tyre.

Sondazhet

Sondazhet kanë nisur, dhe deri më tani është kompania italiane IPR Marketing që ka publikuar sondazhet e para. Sipas saj, Partia Socialiste udhëheq ndjeshëm ndaj Partisë Demokratike dhe kandidatëve të saj.

Monitorimi i zgjedhjeve

Zgjedhjet e 21 qershorit do të monitorohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së dhe ODHIR-it.

Misioni drejtohet nga zonja Audrey Glover. 20 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër po ndjekin ecurinë e fushatës dhe do të vëzhgojnë procesin e zgjedhjeve më datën 21 qershor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG