“Luftëtarë diplomatikë” që mbrojnë interesat e Iranit apo “tradhtarë” që shesin vendin e tyre te armiqtë.
Të dyja këto etiketa u janë ngjitur negociatorëve të Iranit në bisedimet për programin bërthamor të Republikës Islamike.
Bisedimet me fuqitë botërore synojnë arritjen e një marrëveshjeje, në bazë të së cilës, Irani do të kufizonte aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Afati i fundit për këtë marrëveshje është data 30 qershor.
Me afrimin e kësaj date, zyrtarët e lartë iranianë janë gjithnjë e më të etur për të paraqitur një front të bashkuar dhe për të mbështetur negociatorët që udhëhiqen nga ministri i Jashtëm, Mohammad Javad Zarif.
Mbështetësit përfshijnë klerikë të lartë, kreun e gjyqësorit dhe disa ligjvënës, të cilët kanë shprehur shqetësimet se kritikat e brendshme nund të minojnë ekipin negociues të Iranit.
Vala e mbështetjes vjen pasi Zarif, muajin e kaluar, është quajtur “tradhtar” nga deputeti i partisë Fronti i Durimit, Mehdi Kouchakzadeh.
Disa ditë më vonë, kreu i Gjyqësorit, Ajatollah Sadegh Larijani, ka thënë se interesat kombëtarë kanë rëndësi të madhe dhe se ofendimi i negociatorëve nuk i ndihmon ata.
Zëvendëskryetari i Parlamentit, Mohammad Reza Bahonar, ka dalë po ashtu në mbrojtje.
Duke folur për televizionin shtetëror, ai ka thënë se “armiku” i Iranit është “dinak” dhe se për këtë arsye, shqetësimet e atyre që shprehen të brengosur për bisedimet, janë legjitime.
Por, ai ka shtuar se është “e padrejtë” që të akuzohen negociatorët për shitjen e interesave të Iranit.
Më 10 qershor, kleriku Nasser Makarem Shirazi ka paralajmëruar kundër ndarjeve në bisedime. Kleriku i linjës së ashpër është cituar të ketë thënë se “mosmarrëveshja” është një “helm fatal” nga armiqtë, të cilët duan që marrëveshja midis Iranit dhe Perëndimit të kolapsojë.
Dy ditë më vonë, më 12 qershor, kleriku tjetër, Ahmad Khatami, ka shkuar edhe më larg, duke thënë se negociatorët janë “luftëtarë në frontin e diplomacisë” dhe se “secili duhet t’i ndihmojë ata” në kryerjen e detyrave.
Ministri i Inteligjencës, Heydar Moslehi, në anën tjetër, ka siguruar se negociatorët bërthamorë nuk do të kalojnë kurrë vijat e kuqe që ka vendosur udhëheqësi suprem i Iraniat, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet shtetërore.
Sulmet publike kundër Zarifit, megjithatë, kanë vazhduar. Disa njerëz në internet kanë shkruar se derisa iranianët kanë luftuar kundër ushtrisë së Saddam Huseinit, Zarif ka studiuar në tokën e “satanit të madh”, referencë kjo për Shtetet e Bashkuara.