Ndërlidhjet

Pozita dhe opozita nuk e shënojnë bashkë as 12 Qershorin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Data 12 Qershor paraqet një ditë sublime për popullin e Kosovës, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Këto komente, ai i bëri në një seancë të veçantë të Kuvendit, kushtuar Ditës së Paqes, që për shumëkënd në Kosovë nënkupton edhe ditën e çlirimit.

Në këtë datë, 16 vjet më parë, pas fushatës 78-ditëshe të bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe, rreth 50 mijë trupa të NATO-s patën zbarkuar në Kosovë, me çka i kishin dhënë fund dhunës që pushteti i Sllobodan Millosheviqit që po ushtronte mbi popullatën civile të Kosovës.

Për të shënuar këtë datë, Kuvendi kishte thirrur një seancë të veçantë, ku në vend të debateve politike, u dëgjuan vepra të njohura artistike të kompozitorëve vendas e ndërkombëtar të interpretuar nga Filarmonia e Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se kjo datë, paraqet ditën e triumfit të lirisë mbi shtypjen dhe tiraninë.

"Kjo është një ngjarje e veçantë në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës. Një koncert festiv i Filarmonisë së Kosovës në nderim të 12 Qershorit. 12 Qershori është një ditë sublime për popullin e Kosovës, por edhe për vlerat e paqes dhe humanizmit. 12 Qershori është dita e triumfit të lirisë njerëzore mbi shtypjen dhe tiraninë", ka thënë Veseli.

Megjithatë, edhe kjo datë nuk ka kaluar pa ndasi, të cilat për një kohë tashmë janë të pranishme në skenën e këtushme politike.

Opozita e ka bojkotuar këtë seancë. Sipas opozitës, koalicioni qeverisës edhe kësaj radhe është përpjekur që të organizojë solemnitete për të krijuar imazhe të rrejshme të gjendjes në Kosovë, përderisa popullata po ballafaqohet me varfëri të skajshme.

Deputeti Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka sqaruar se një prej arsyeve të mungesës së opozitës, ishte edhe refuzimi që në seancën e së premtës, përveç kryetarit të Kuvendit, të flisnin edhe përfaqësuesit e partive opozitare.

“Këto seanca simbolike, të cilat kanë filluar të shtohen kohëve të fundit, po bëhen sidomos nga kryetari i Kuvendit me qëllim që të shfrytëzohet Kuvendi i Republikës së Kosovës për ta krijuar imazhin e një Kosove pa probleme, si një vend në të cilin po lulëzon demokracia, po ka zhvillim ekonomik, po ka vende të punës, por ne jemi të bindur që saktësisht e kundërta është e vërtetë", ka thënë Konjufca.

Seanca, është bojkotuar edhe nga dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Përndryshe, 16 vjet pas çlirimit dhe 7 vjet pas pavarësisë së saj, Kosova vazhdon të përballet me sfida të shumta, përfshi zhvillimin ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë, sundimin e rendit dhe ligjit si dhe sfidën e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e saj. Po ashtu, Kosova po ballafaqohet me probleme serioze në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ngjashëm edhe me vendet tjera, Kosova po përballet edhe me sfidën globale të luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit fetar.

Ndërkaq, nga aspekti i jashtëm, Kosova mbetet ende një vend që ka probleme me subjektivitetin e saj shtetëror. Mosnjohja e saj nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian vazhdon t'i krijojë probleme në proceset integruese. Po ashtu, shteti më i ri evropian, mbetet edhe vendi më i izoluar në Evropë.

Kurse, kontestimi i shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë që mbështetet nga Rusia si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, i pamundëson Kosovës që, tash për tash, të llogarisë në anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG