Ndërlidhjet

Reagime për spitalin privat në oborrin e QKU-së


Afër hapësirës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, është duke u ndërtuar një spital privat.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar publikisht, duke thënë se hapja e spitalit privat afër institucioneve publike shëndetësore, e dëmton sistemin publik shëndetësor, si dhe pacientët.

"Ne e kemi ngritur si çështje që ai spital nuk duhet të hapet. Nuk kemi asgjë kundër Spitalit Amerikan, por nëse fillojnë të hapen spitalet private brenda institucioneve publike shëndetësore, atëherë nuk do të kemi sistem publik shëndetësor. Është e qartë që qytetarët do të dëmtohen dhe rrjedhimisht ai spital edhe do ta varfëronte këtë popull edhe ashtu të varfër", ka thënë Blerim Syla, kryetari i FSSH-së.

Ai flet edhe për atë se me fillimin e implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, sistemi publik shëndetësor do të dëmtohet, në rast të hapjes së spitaleve private afër hapsirave publike shëndetësore.

"Është problem edhe te sigurimi shëndetësor, pasi që qytetarët do të rekrutohen në këtë spital privat; investimet në sistemin publik kanë munguar, si dhe mjekët që punojnë në sistemin publik, të njejtit punojnë edhe në spitale private. Pacientët domosdoshmërisht do të mjekohen në spitale private".

"Besoj se Ministria e Shëndetësisë nuk do të bie pre e politikave, pasi që ka presion, por të punojë në një udhëzim administrativ me standarde dhe me të gjitha grupet e interesit", tha Syla.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se ekspertët e fushës ligjore do të shikojnë përputhshmërinë e ligjeve ekzistuese lidhur me këtë çështje.

"Ministria e Shëndetësisë është duke shqyrtuar ligjet në fuqi që rregullojnë çështjen e funksionimit dhe themelimit në afërsi të institutcioneve publike shëndetësore dhe deri tash nuk ka asgjë në këtë drejtim. Unë nuk e di a është e ligjshme ose jo, pasi që ligji i ri për shëndetësi dhe ligji i partneritetit publiko-privat, i cili nuk e dallon fushën e shëndetësisë me fushat e tjera, nuk ka përkufizime të tilla", tha Valbon Krasniqi, këshilltar politik i ministrit të Shëndetësisë. ​

Edhe Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se në emër të partneritetit publiko-privat, qeveria e kaluar ka lëshuar vendim për ndërtimin e këtij spitali.

"Spitali realisht përkundër shkeljeve ligjore në kontratë është planifikuar si spital i kardiokirurgjisë dhe që në fillim i ka pasur problemet e veta ligjore dhe nuk është miratuar deri në vitin 2009, nga ish kryeministri Hashim Thaçi, i cili e ka lëshuar një vendim në emër të partneritetit publiko-privat për një spital të kardiokirurgjisë dhe për ndalimin e invazionit fiskal nga shteti ynë".

"Ky motivacion ka rënë dhe kardiokirurgjia është bërë brenda QKUK së, dhe ky objekt i ndërtuar joligjërisht, duhet të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës, pasi që kjo e fundit ka pasur në plan hapjen e një spitali për Prishtinën dhe ai objekt t'i kthehet qytetarit të Prishtinës".

Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se në këtë drejtim nuk ka ndonjë vendim përfundimtar nëse do të lejohet ose jo hapja e Spitalit Amerikan afër hapësirës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, megjithëse ndërtesa tashmë ësht në përfundim e sipër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG