Ndërlidhjet

Mbi 1000 punëkërkues në Panairin e Punës


Në Kosovë po vazhdon interesimi i madh i qytetarëve për një vend pune.

Vetëm për dy ditë sa ka qenë i hapur Panairi i Punës në Prishtinë, mbi 1000 persona kanë kërkuar punë, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Papunësia kanë theksuar ata, po vazhdon të mbetet një nga problemet thelbësore të qytetarëve të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se treguesi më i mirë i shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë është interesimi jashtëzakonisht i madh i qytetarëve për të vizituar panairet e punës.

“Panairi i punës ka pasur për synim të rinjtë, kështu që pjesa më e madh e tyre kanë qenë të rinj, kanë qenë student, megjithatë ata që e kemi vërejtur në këtë panair gjatë këtij viti është se nuk ka munguar interesimi edhe i personave më të moshuar. Ky interesim i madh tregon qartë papunësinë e lartë që ka Kosova”, shton Zeka.

Në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë. Papunësia në Kosovë ka arritur në shkallën mbi 30 për qind.

Tek të rinjtë, niveli i papunësisë është shumë i lartë.

Nga popullësia në moshë pune në Kosovë, afër 60 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar më disa të rinj rreth vështirësive që ata i kanë në gjetjen e një pune.

Rina, një qytetare nga Prishtina tregon se edhe përkundër interesimit të saj të madh për ta gjetur një punë deri më tani nuk ka arritur të punësohet.

“Punësimi do të thotë shumë për mua. Sikur ta kisha një vend pune do të mund ta ndihmoja veten dhe familjen time. Do të studioja dhe do të punoja në të njëjtën kohë. Të rinjtë në Kosovë kanë probleme të mëdha ekonomike dhe se ky problem mund të zgjidhet vetëm me punësim”, thekson ajo.

Mimoza, studente në një nga fakultet privat në Kosovë, thekson se asnjëherë nuk ka arritur që ta punësohet dhe se i mungon praktika, gjë e cila siç thekson ajo, po kërkohet në çdo vend të punës ku ajo po aplikon.

“Do të punoja diku edhe si praktikante vetëm që të fitoj shprehinë e punës. Neve si të rinj po na mungojnë këto gjëra”, shton ajo.

Të rinjtë të interesuar për punë, ka treguar drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, nuk kanë qenë të fokusuar vetëm në sektorë të caktuar, sipas tij, interesimi i të rinjve ka qenë në të gjitha fushat vetëm që të kenë të ardhura mujore.

Nga ajo çfarë është parë në Panairin e Punës, shton Zeka të rinjve në Kosovë po iu mungojnë shkathtësitë e punës.

“Si shqetësim jo vetëm nga kompanitë vendore, por edhe nga investitorët e huaj është se ka një boshllëk të madh të shkathtësive në tregun e punës ka nevojë të madhe për një dialog më të madh midis sektorit privat dhe institucioneve arsimore, në mënyrë që ky hendek i shkathtësive në tregun e punës të ngushtohet më tej”, shton Zeka

Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë, ndërkaq shprehen se për uljen e papunësisë dhe rrjedhimisht zbutjen e varfërisë, autoritetet e vendit duhet të orientojnë politikat e tyre në zhvillimin e sektorit privat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG