Ndërlidhjet

Stina e verës me më shumë epidemi


Në Kosovë, gjatë një viti infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë njerëz.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i rasteve të reja që infektohen me sëmundje ngjitëse, është rreth 6 mijë në 100 mijë banorë.

Megjithatë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është i pajisur me laboratorin, i cili mund të testojë sëmundje të ndryshme dhe të japë rezultate brenda ditës.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se gjatë sezonit të verës, qytetarët janë më të rrezikuar nga epidemi të ndryshme.

"Duke e pasur parasysh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjellë situatën epidemiologjike në vend, ne gjatë muajve të verës jemi të përgatitur me një shkallë të lartë të përgjegjshmërisë dhe përgjigjes epidemiologjike në rast të shfaqjes së ndonjë epidemie".

"Në rradhë të parë, në epidemitë që paraqiten në stinën e verës, në përmasa të mëdha janë barkqitjet, helmimet me ushqim për shkak të temperaturave të larta dhe mospërgatitjes së duhur. Gjithashtu jemi të përqëndruar në zbutjen e rasteve të njerëzve të prekur me ethe hemoragjike 'krime kongo', e që tashmë janë endemike për Kosovën. Por, gjithashtu në fundin e verës mund të paraqiten edhe virusi i Nilit Perëndimor me raste sporadike", tha Ramadani.

Ndërkaq zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë deklaruar se në bazë të rekomandimeve që jep Instituti Kombëtar, këta të fundit edhe ndërrmarin hapa konkret për ruajtjen e shëndetit publik.

"Ministria e Shëndetësisë përmes Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që është një trup këshilldhënës për ministrinë dhe bën monitorimin e gjendjes shëndetësore të popullatës, në varësi prej rekomandimeve, ndërmerr edhe hapa bashkëpunues për të parandaluar gjithë ata faktorë që rrezikojnë gjendjen shëndetësore të popullatës", tha Faik Hoti, drejtor i Departametit për Informim.

Zoti Ramadani shpjegon edhe kapacitetet që ka institutcioni që ai udhëheq, për ta përcjellë situatën epidemiologjike.

"Duke e marrë parasysh që Instituti Kombëtar i ka identifikuar të gjithë këta faktorë si dhe shpërthimet epidemike, kapacitetet tona janë të mjaftueshme deri në një shkallë të caktuar, duke e pasur parasysh problematikën kronike të mungesës së kuadrove të dedikuara për shëndetësi publike dhe parandalim të shpërthimeve epidemike, dhe buxhetit gjithnjë të kufizuar".

Ndryshe, sipas zyrtarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sistemi i raportimit mbulon gjithë sistemin shëndetësor në Kosovë, duke filluar nga qendrat e mjekësisë familjare deri te niveli terciar, duke përjashtuar pjesët ku jeton popullata serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG