Në qarqe të caktuara në Bangkok, Valdet Gashi, 29 vjeç, nga Gjermania por me prejardhje nga Kosova, është nderuar si “luftëtar i huaj”.
Dy herë kampion botëror në Muay Thai, sport luftarak i Tajlandës, Gashi është yll tërheqës për secilin që do të trajnohet në këtë disiplinë në Klubin Elite Fight, në Bangkok.
“Ilya Grad, Valdet Gashi, Leo Montero dhe disa luftëtarë të tjerë të huaj trajnojnë në palestër, andaj nuk do ta keni të vështirë gjetjen e partnerëve të aftë të trajnimit”, thuhet në ueb-faqen e klubit.
Kur Gashi ka qenë në krye të lajmeve javën e kaluar, ai ka qenë për shkak të namit të tij si “luftëtar i huaj” në Shtetin Islamik (IS), jo në Muay Thai.
Gashi ka lënë jetën e tij si kampion i arteve luftarake për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri, në muajin janar.
Megjithatë, koha e saktë e shkuarjes së Gashit në territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik, nuk është e qartë. Më 18 mars, ai ka shkruar në Facebook se ndodhet në Xhaminë Qendrore në Jala të Tajlandës.
Gashi i ka thënë një mediumi zviceran se është i martuar, ka dy vajza të vogla dhe se jeton kryesisht në qytetin e Sirisë, Manbij.
Ai ka thënë se mbështet “kalifatin” e vetëshpallur nga Shteti Islamik dhe se puna e tij për grupin ekstremist përfshin patrullimin përgjatë Lumit Eufrat dhe diktimin e kontrabandistëve.
Disa media sugjerojnë se Gashi mund të ketë qenë i përfshirë në rekrutimin e luftëtarëve të tjerë në Shtetin Islamik.
Para se të ketë shkuar në Siri, Gashi ka krijuar dhe drejtuar projektin trajnues Artet e Përziera Luftarake, në Vintertur të Zvicrës, ka raportuar ueb-faqja zvicerane 20 Minuten.
Projekti i tij thuhet se ka qenë i përshtatshëm për njerëz të përkushtuar myslimanë; gjatë trajnimit nuk janë lejuar gratë, muzika, sharjet apo fyerjet.
Sipas mediumit 20 Minuten, së paku tre të rinj, Christian “Sandro” Visar, i njohur edhe si Abu Malik, V.L. dhe Muhamed al-Kurdi, të cilët janë trajnuar në projektin e Gashit, kanë udhëtuar për në Siri.
Al-Kurdi, 21 vjeç, besohet se është vrarë nga një sulm i koalicionit ndërkombëtar në Kobani, në muajin mars.
Nuk dihet se si, ku dhe kur është radikalizuar Gashi dhe si ka rekrutuar në Shtetin Islamik.
A ka rënë në kontakt me islamistët radikalë derisa ka qenë në Gjermani? Apo ka takuar predikues radikalë gjatë kohës sa ka qenë në Tajlandë?
Mendohet se të tre nxënësit e Gashit në Vintertur të Zvicrës janë lutur në xhaminë e qytetit Al-Nur.
Por, udhëheqësi i xhamisë u ka thënë mediave zvicerane se nuk ka elemente radikale në xhaminë e tij.
Derisa transformimi i tij nga kampion i arteve luftarake në militant të Shtetit Islamik mbetet mister, Gashi ka dokumentuar disa nga mendimet dhe ndjenjat e tij për Islamin në faqen e tij në Facebook, së bashku me fotografi dhe video të sukseseve të tij në Muay Thai.
Disa prej tyre, siç është ideja se myslimanët janë duke u persekutuar dhe shtypur, reflektojnë ide dhe tregime që janë shfaqur në propagandën e Shtetit Islamik.
Më 31 dhjetor të vitit 2012, Gashi ka shkruar se nuk mund të festojë Vitin e Ri sepse “ka ende fëmijë të uritur që vdesin, myslimanë në Siri, Birmani dhe vende të tjera që ndiqen dhe vriten”.
Gashi nuk ka shpjeguar se përse i është bashkuar Shtetit Islamik.
Por, pas raporteve se ka shkuar në Siri, kampioni i sporteve luftarake është kthyer në mediat sociale duke u kërkuar atyre që e kanë kritikuar, që të mos e “gjykojnë”.
“Mos gjykoni pa e ditur gjithë historinë”, ka shkruar ai në Facebook më 3 qershor. Ai po ashtu ka thënë se beson se është duke “ndihmuar” në Siri.
Toli Makris, bashkëthemelues i klubit Elite Boxing dhe promovues i ngjarjeve Muay Thai, në të cilat Gashi ka marrë pjesë disa herë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë përmes emailit se Gashi ka qenë gjithmonë “korrekt” me ta.
Gashi, i cili ka trajnuar “disa herë” në Klubin Elite Fight në Bangkok, i cili ka pasur luftëtarë të krishterë, hebrenj dhe budistë, “ka treguar respekt dhe kurrë nuk ka hapur tema për fenë ose politikën”, ka thënë Makris.
“Nuk e mbështes vendimin e tij për të qenë në Siri tani, por nuk mund të them asgjë të keqe, pasi ai ka treguar gjithmonë respekt për ne dhe sportin”, ka shtuar Makris.
Gashi nuk është kampioni i parë i arteve luftarake që i është bashkuar Shtetit Islamik.
Grupi ekstremist ka tërhequr disa sportistë premtues. Në mesin e tyre ka qenë Alan Chekranov, tre herë kampion kombëtar i Arteve të Përziera Luftarake në Taxhikistan, i cili ka vdekur duke luftuar së bashku me Shtetin Islamik në Kirkuk, në muajin shkurt. (v.t.)