Një film rus që lëvdon pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968 ka shkaktuar zemërim te çekët dhe sllovakët.
Filmi "Pakti i Varshavës: Faqet e Deklasifikuara", i cili është transmetuar në televizionin shtetëror rus më 23 maj, justifikon shtypjen e armatosur të lëvizjes “Pranvera e Pragës” dhe pretendon se trupat e Paktit të Varshavës janë dërguar në Çekosllovaki për të mbrojtur qytetarët e saj nga një kërcënim i supozuar i NATO-s.
Ministri i Jashtëm çek, Lubomir Zaoralek, ka akuzuar Rusinë për “shtrembërim të tmerrshëm” të historisë dhe ka thirrur në bisedë informative ambasadorin rus në Pragë.
Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, i cili shihet si relativisht i afërt me Kremlinin, ka thënë se filmi është “gënjeshtër propaganduese e Rusisë”.
Ministria e Jashtme e Sllovakisë, në anën tjetër, ka akuzuar Rusinë për përpjekje “për të rishkruar historinë dhe për të falsifikuar të vërtetat historike për këtë kapitull të errët të historisë”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shkaktuar ankth në gjithë Evropën edhe vitin e kaluar, duke thënë se nuk ka pasur asgjë të keqe në paktin e vitit 1939 midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste, i cili ka çuar në ndarje të Evropës Lindore.
“Çfarë ka të keqe nëse Bashkimi Sovjetik nuk ka dashur të luftojë”, ka thënë Putin.
Marrëveshja i ka hapur rrugën Hitlerit për pushtim të Polonisë në vitin 1939, ashtu si edhe pushtimit të pjesës lindore të Polonisë nga ana e Bashkimit Sovjetik. Me marrëveshjen e njëjtë, Bashkimi Sovjetik ka pushtuar edhe shtetet baltike më 1940.
Pas pohimeve të vazhdueshme të Rusisë se Ukraina është e mbushur me neo-nazistë, një gazetë ruse pro Kremlinit ka shkaktuar mpirje, njësoj vitin e kaluar, me një artikull, i cili thoshte se Hitleri ka qenë “i mirë” para Luftës së Dytë Botërore.
“Duhet të bëjmë dallimin midis Hitlerit para vitit 1939 dhe Hitlerit pas vitit 1939 dhe të ndajmë grurin nga sana”, thuhej në artikullin e gazetës Izvestia.
Autori Andranik Migranyan e ka vlerësuar Hitlerin për bashkimin e Gjermanisë, Austrisë, Sudetenlandit dhe Memelit “pa asnjë pikë të vetme gjaku”.
“Nëse Hitleri do të ndalej me aq, ai do të mbahej në mend në historinë e vendit të tij si politikan i rendit të lartë”, ka thënë Migranyan, i cili kryeson zyrën në Nju Jork të Institutit për Demokraci dhe Bashkëpunim.
Kritikët, megjithatë, i kanë kujtuar Migranyanit disa politika të tmerrshme të Hitlerit para vitit 1939, përfshirë krijimin e kampeve të përqendrimit, spastrimin e “jo-Arianëve”, krijimin e Gestapos dhe masakrat e përgjakshme, të njohura si Kristallnacht, më 1938.
Putini po ashtu ka mbrojtur aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke thënë se gadishulli i Ukrainës ka qenë djep i shenjtë i qytetërimit rus.
Duke iu adresuar kombit në muajin dhjetor, ai ka thënë se Krimea “ka një kuptim të madh civilizues dhe fetar për Rusinë, sikurse Tempulli i Jerusalemit për ata që praktikojnë Islamin apo Judaizmin”.
Gadishulli i Krimesë ka qenë shtëpi e popujve të ndryshëm para se të aneksohej nga Rusia për herë të parë në vitin 1783.
Ai ka përfshirë koloni greke dhe tatarë krimeanë që sot konsiderohen popullsi vendëse, por që janë nën presion të madh që nga aneksimi rus në mars të vitit 2014.