Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që të dielën më 31 maj, të mbaj Kuvendin zgjedhor. LDK përbën subjektin e dytë më të madh politik në Kosovë.
Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani - janë dy emrat që publikisht kanë konfirmuar pretendimet e tyre në garën për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërkaq si pretendent potencial përmenden edhe ish- kryetari i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe nënkryetari aktual i partisë, Lutfi Haziri.
Analistët politikë zgjedhjet në LDK po i cilësojnë si një zhvillim demokratik që i lë prapa partitë tjera, te të cilat kryetari kryesisht zgjidhet pa konkurrencë dhe me aklamacion.
Artan Muhaxhiri, analist politik, thotë se në LDK gara e fortë për kreun e partisë ka nisur qysh me zgjedhjet e fundit kur kishte një beteje politike mes Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës.
Duke i komentuar vetëm dy kandidaturat e shpallura verbalisht, atë të Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit, analisti Muhaxhiri i jep më shumë gjasa kryetarit aktual të LDK-së, marrë parasysh edhe pozitën e tij si kryeministër dhe proceseve politike që po udhëheqë qeveria e Kosovës në raport me disa kërkesa ndërkombëtare.
"Dihet se Mustafa është një garantues i disa proceseve të rëndësishme nëpër të cilat do të kalojë Kosova, ku bën pjesë edhe Gjykata Speciale për Krime Lufte. Prandaj besoj që edhe përkrahja ndërkombëtare është në anën e tij. Në këtë moment as ndërkombëtarëve nuk besoj se u konvenon që të vijë në krye të LDK-së një politikane e re, e cila mbase edhe do t'u prishte ndonjë llogari të cilën ata e kanë bërë më herët", ka thënë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Një fitore eventuale e Vjosa Osmanit në kreun e LDK-së, sipas Artan Muhaxhirit, do të nënkuptonte që LDK t'i nënshtrohej një reforme më të thellë, duke e përfshirë edhe shqyrtimin e nismës së saj që kjo parti politike të braktisë koalicionin aktual me Partinë Demokratike të Kosovës.
"Vjosa Osmani është një politikane e re, e cila eventualisht nëse zgjidhet kryetare e LDK-së natyrisht që do të sillte një energji të re dhe një vullnet më të madh për t'u marrë me punët e partisë sesa që e ka atë momentalisht Isa Mustafa. Mirëpo, një mangësi për zonjën Osmani në këtë rast, është vetë momenti në të cilin janë duke u mbajtur këto zgjedhje", ka theksuar Muhaxhiri.
Megjithatë, edhe nëse LDK do të zgjidhte një kryetar apo kryetare të re, kjo nuk do të nënkuptonte me automatizëm që kjo parti politike do të largohej nga koalicioni aktual qeverisës.
Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë se vendimmarrja në LDK, në këtë rast do të kalonte përmes strukturave të partisë, dhe jo përmes një vendimi të kryetarit apo edhe kryetares së ardhshme.
"Nëse do të jetë Vjosa Osmani kryetare dhe në këtë rast edhe premtimi i saj se do ta prishte koalicionin me PDK-në, ajo duhet ta marrë së pari bekimin nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Nuk mundet kryetari të vendos në mënyrë arbitrare të largohet nga një koalicion partiak. Partia duhet t'u qëndrojë zotimeve që i ka dhënë dhe duhet që Këshilli i Përgjithshëm të vendos, që në këtë rast mund të jetë edhe në kundërshtim me linjën e kryetarit apo kryetares së ardhshme", ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Përndryshe, edhe Albert Kransniqi sheh pak gjasa për kundërkandidatët eventual të Isa Mustafës në garën për kreun e LDK-së.
Ai thotë se kushdo që do të përballej me Mustafën në këtë fazë, duhet ta ketë parasysh se po ballafaqohet në garë me kryeministrin e Kosovës dhe kjo e vë në një pozitë, të paktën politikisht, jo të barabartë.
"Është mirë të kemi fytyra të reja, të përtërihet skena politike. Në këtë rast edhe LDK-ja, po ashtu, si një parti që ka një moshë mesatare goxha të vjetër, qoftë me numrin e deputetëve që ka në kuvend apo me anëtarët e Kryesisë dhe Këshillin e Përgjithshëm. Por, në këtë fazë po e shoh pak të vështirë të arrihen këto ndryshime, sidomos kur garohet kundër kryeministrit i cili ka pushtet në shumë", ka vlerësuar Krasniqi.
Sipas statutit të LDK-së, në kuvendin zgjedhor kandidatët fillimisht shpalosin programet e tyre. Por, për të marrë edhe zyrtarisht kandidimin për postin e kryetarit të partisë, kandidatët duhet të sigurojnë 51 për qind të votave të delegatëve të Kuvendit. Vetëm ata që sigurojnë këtë kuotë, më pas do të mund të ballafaqohen në garën e drejtpërdrejtë për kryetarin e ri të LDK-së për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.