Ndërlidhjet

Incidenti në Kumanovë, mund të tendosë raportet Shkup-Prishtinë


Kumanovë 10 maj 2015
Kumanovë 10 maj 2015

Analistët në Maqedoni konsiderojnë se raportet Maqedoni - Kosovë mund të tendosen në pikë kritike, nëse rasti i Kumanovës nuk zbardhet tërësisht.

Kjo, sipas tyre, mund të arrihet vetëm me inkuadrimin e faktorit ndërkombëtar.

Raportet Maqedoni-Kosovë që nga fillimi ishin të brishta, madje të tendosura me atë që njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Maqedonisë u kuptua si një akt i presionit nga ana e faktorit ndërkombëtar, dhe jo si vullnet për të krijuar raporte të mira ndërfqinjësore, thotë analisti politik, Alajdin Demiri.

Ai shton se ngjarjet në Kumanovë, duke ngërthyer më vete enigma të shumta, në masë plotësuese do të rëndojnë raportet Maqedoni-Kosovë.

Tendosja e mëtejme e raporteve Maqedoni Kosovë do të jetë strategjike, sepse e vërteta e Kosovës do të jetë diçka tjetër - nga ana tjetër, e vërteta e Maqedonisë do të jetë krejtësisht diçka tjetër, dhe e vërteta e Serbisë dhe Rusisë do të jetë krejtësisht diçka tjetër, ngase Rusia është pozicionuarnë mbrojtje të kryeministrit Nikolla Gruevski”.

“Në Maqedoni, aktinë Kumanovë përjetohet si agresion i Kosovës, përkatësisht kosovarëve ndaj pavarësisë së Maqedonisë si shtet, edhe pse ky akt më vete ngërthen shumë të panjohura, të cilat, mbase për më shumë arsye edhe nuk do të sqarohen në të ardhmen, edhe pse do të ishte shumë mirë të ndriçohet plotësisht rasti i Kumanovës, e para se do ta shfajësonte Kosovën si shtet dhe fajësia do të orientohej diku tjetër”, vlerëson Demiri.

Dy ditë më parë, edhe ndihmëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ivan Shimonoviq, pas një vizite dyditore në Maqedoni, është shprehur se nevojitet ndihmë ndërkombëtare për hetimin e rastit të Kumanovës me atë që hetimi të jetë i besueshëm në sytë e popullit.

“Duhet të bëhet një hetim i menjëhershëm dhe i pavarur për rastin e Kumanovës, si dhe për rastin e përgjimeve. Kam biseduar me prokurorin për rastin e Kumanovës dhe ai më tha se disa prej hetimeve janë në progres. Por, mendoj se për këtë do të jetë e nevojshme që të ketë një ndihmë ndërkombëtare. Ky hetim ka dimensionin e tij ligjor, por ka edhe dimension politik. Me rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë”, ka deklaruar Shimonoviq.

Por, prokurori Publik në Maqedoni, Marko Zvërlevski, lidhur me këtë kërkesë, ka deklarua për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria Publike e Maqedonisë dhe institucionet e shtetit disponojnë me kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar një hetim të pavarur dhe kompetent rreth asaj se çfarë ndodhi në Kumanovë dy javë më parë.

“Nuk dua t`i komentoj propozimet e tilla, të cilat vijnë nga faktori ndërkombëtar, por do të theksoja me këtë rast se institucionet në Republikën e Maqedonisë disponojnë me kapacitetin e nevojshëm për të realizuar një hetim të plotë dhe të pavarur”, është shprehur Zvërleski.

Me këtë qëndrim nuk pajtohet ish-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Pavle Trajanov, partia e së cilit është pjesë e koalicionit qeveritar, duke theksuar se raportet Maqedoni-Kosovë hyjnë në një fazë tejet të komplikuar, madje siç shprehet ai, edhe të rrezikshme nëse nuk ndriçohen më shumë aspekte që kanë të bëjnë me ngjarjet e Kumanovës.

“Si e para duhet shihet si është e mundur që në Kosovë të organizohen formacione paraushtarake, të cilat kanë për qëllim të veprojnë në Maqedoni, pra kjo çështje duhet të ndriçohet, më pas duhet të mësohet cilat janë motivet e tyre, në kanë një agjendë politike këta njerëz, madje dhe kush qëndron pas tyre”.

“Pastaj, është me rëndësi që të mësohet a është, ose sa është e rrezikuar Maqedonia në aspektin e sigurisë pas këtyre ngjarjeve nga grupet e armatosura, sepse informacionet tona flasin se ka lëvizje nga ana e tyre në Kosovë dhe Serbinë Jugore, me atë që destabilizimi i Maqedonisë të vazhdojë edhe më tej ngase shokët e tyre mbeten në paraburgim në Maqedoni”, thekson Trajanov.

Ai thekson se me rëndësi të veçantë është bashkëpunimi i Maqedonisë me Kosovën në këtë situatë të ndjeshme, në bashkëpunim edhe me vendet me ndikimsiç është Gjermania dhe SHBA-ja, sepse siguria e Ballkanit është përgjegjësi jo vetëm e Maqedonisë, por e të gjithëve.

Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armartosur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG