Ndërlidhjet

Pushteti qendror dhe lokal, fajtorë për stagnimin ekonomik


Pushteti qendror dhe ai lokal, janë fajtorët kryesorë për ngecjen ekonomike në Kosovë, vlerësojnë ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Trendet negative ekonomike në Kosovë, siç është rritja ekonomike e ulët, niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë, janë si pasojë e politikave jo të mira ekonomike të udhëhequra nga institucionet e vendit, për vite me radhë.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se për gjendjen jo të mirë ekonomike në Kosovë, përgjegjës janë ata që kanë autoritetin, ndikimin dhe të drejtën më të madhe.

“Sa i përket adresimit të fajtorëve të zhvillimit ekonomik në Kosovë që është një situatë e palakmueshme, ne mund të adresojmë në shumë vende, por duhet të nisemi nga fati se ata që kanë të drejtat më të mëdha, kanë edhe përgjegjësitë më të mëdha për situatën e tanishme. Këtu bëjnë pjesë institucionet relevante duke filluar nga qeveria, ekzekutivi dhe pushteti lokal”, vlerëson Ramosaj.

Përgjegjës për ngecjen ekonomike në Kosovë, i bën institucionet shtetërore edhe drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi.

“Problem esencial në Kosovë është mos respektimi i ligjit dhe mos funksionimi i institucioneve të pushtetit, përkatësisht efikasiteti i dobët i tyre, në veçanti e kam fjalën tek gjyqësia e cila është shumë problem dhe është shumë e papranueshme për bizneset që të zhvillojnë aktivitetin e tyre për shkak të pasigurisë juridike që mund ta kenë”, thekson Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Ekonomia në Kosovë, gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të shënojë rritje as deri në katër për qind, pavarësisht dokumenteve të qeverive ku rritja ekonomike ishte parashikuar deri në 8 për qind.

Përderisa në vitin 2010, rritja ekonomike ka qenë 5.39 për qind, në vitin 2011 po ashtu mbi pesë për qind, në katër vitet e fundit kjo rritje fillon të ulet dhe atë në tre për qind.

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, thekson se pavarësisht asaj që qeveritë e mëparshme edhe kjo e tanishmja në Kosovë kanë dhënë mjaft shpresa në kuptimin e afirmimit të zhvillimit ekonomik, prapë kanë mbetur shumë prapa.

“Sado që proklamojnë disa ndryshime kozmetike, qoftë në politikën e tatimeve, ato janë gati si refleksione "ad hok" dhe nuk janë të ndërtuara në ndonjë strategji e cila afirmon investimet e huaja, qoftë investimet e brendshme. Ne nuk shohim një klimë të volitshme në kuptimin e zhvillimit ekonomik”, shton Ramosaj.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë, biznese këto të cilat e përbëjnë përqindjen më të lartë të zhvillimit ekonomik të vendit, sipas hulumtimeve të fundit të bëra nga përfaqësuesit e bizneseve kanë shënuar ngecje gjatë viteve të fundit.

Për ngecjen e zhvillimit të këtyre ndërmarrjeve, Ibrahim Rexhepi thekson se përgjegjës janë institucionet dhe se më së paku fajtorë janë bizneset.

Sipas tij, bizneseve nuk iu është krijuar ambient i favorshëm që të zhvillojnë ekonominë.

“Korrupsioni dhe format tjera të veprimit shumë afër krimit dhe kriminalitetit janë ato që frikësojnë bizneset, pasi që ka shantazhe, ka forma të ndryshme të detyrimit, ka zhvatje, ka kërcënime fizike për njerëzit, që nuk them që vijnë drejtpërdrejtë nga institucionet, por së paku janë institucionet ato që këto dukuri duhet ti eliminojnë”, shton Rexhepi.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka theksuar se prioritet themelor për Qeverinë e Kosovës është zhvillimi ekonomik, i cili nënkupton rritjen më të shpejtë ekonomike, përkatësisht rritjen e normës së Bruto Produktit Vendor më të shpejtë, në krahasim me atë që kemi pasur deri më tani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG