"Maqedonia nuk dorëzohet, Maqedonia është e fuqishme". Me këto fjalë kryeministri Nikolla Gruevski, ka nisur fjalimin ne mitingun e partisë së tij para Kuvendit të Maqedonisë, që vjen si përgjigje ndaj atij të opozitës të mbajtur të dielën para qeverisë.
Edhe në tubimin e Gruevskit, numri i pjesëmarrësve vlerësohet të ketë qenë dhjetëra mijëra, i ngjashëm me atë të opozitës.
Kryeministri Gruevski që drejton partinë VMRO-DPMNE, tha se pjesëmarrja masive e qytetarëve është përgjigja për kreun e opozitës, Zoran Zaev, i cili sipas Gruevskit, është vënë në shërbim të agjenturave të jashtme për destabilizimin e vendit.
Kreu i qeverisë tha se kurrë nuk do të dorëzohet para aferës së montuar të përgjimeve të opozitës, para kërcënimeve e shantazheve tjera.
“Nuk do të tërhiqemi, nuk do të përkulemi, Maqedonia është e fuqishme, Maqedonia është e vendosur. Zaev asnjëherë nuk do të bëhet kryeministër. Ai, madje nuk do të marrë besimin as si prefekt i qytetit të Strumicës. Afera e tij e përgjimeve është inskenim me ndihmën e shërbimeve të huaja. Bisedat janë të montuara, këtë të gjithë e kanë të qartë, kjo dëshmohet nga masiviteti i tubimit të sontëm“, ka deklaruar Gruevski duke përjashtuar çdo mundësi për të dhënë dorëheqje dhe zgjedhje të parakoshme parlamentare.
“Me ose pa LSDM-në, hapat pozitiv do të bëhen, kurse LSDM-ja dhe Zaevi do të vazhdojnë të izolohen nga veprimi i tyre destruktiv. Ne kemi plan reali për dalja nga kriza e tanishme politike që është nxitur nga LSDM-ja. Ne nuk do t'i lejojnë Zaevit që të rrënojë atë që e kemi ndërtuar me vite, atë që ky popull e ka pritur me vite, zhvillimin ekonomik të vendit, investime të jashtme e vende të shumta të punës“, është shprehur Gruevksi
Ai ka folur edhe për ngjarjet e Kumanovës, që sipas tij, ishin tentim për destabilizimin e Maqedonisë.
Gruevski për këtë akuzoi edhe opozitën për, siç tha, tentimet e saj për nxitjen e konfliktin ndërentike që u refuzua nga populli.
“Maqedonia nuk ka kapacitet për konflikt dhe destabilizim pasi populli nuk e do këtë. Të gjitha bashkësitë etnike duan prosperitet. Kjo u dëshmua edhe gjatë sulmit terrorist në Kumanovë ku edhe përkundër apeleve të shumta të terroristëve për ndihmë, askush nuk i mbështeti. Populli dëshmoi se nuk ishte konflikt ndërentik, por luftë mes policisë dhe një grupi klasik terrorist. Kjo, që në mënyrë qyqare dhe të mjerë po e bën Zoran Zaev do të përfundoj dhe shteti do të ecë sigurtë drejt prosperitetit“, deklaroi Gruevski.
Kryeministri foli edhe për çështjen emrit duke thënë se asnjëherë nuk do të pranojë ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, pavarësisht se në bisedat e publikuara të opozitës ai dëgjohej duke biseduar me zyrtarët e partisë së tij për kompromise të ndryshme për arritjen e një zgjidhjeje me Greqinë.
Paralelisht me protestën e partisë së Gruevskit është mbajtuar edhe ajo e opozitës, por para Qeverisë ku qindra simpatizantë të Lidhjes Social-demokate kanë vazhduar qëndrimin në tenda.
Kreu i opozitës, Zoran Zaev ka thënë se tërheqje nuk do të ketë deri në dorëheqjen e qeverisë.