Ndërlidhjet

Deputetët dyshojnë në punën e qeverisë për liberalizim


Ilustrim
Ilustrim

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një pako ligjore në kuadër të plotësimit të kritereve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Në këtë pako janë përfshi gjashtë ligje, prej të cilave disa edhe si plotësim ndryshime të ligjeve aktuale, për të mundësuar kalimin e kompetencave ekzekutive nga misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit - EULEX, i cili përmbyllë mandatin në qershor të këtij viti, tek institucionet e Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar me këtë rast se ky tranzicion do të shpërfaq përparimet dhe dobësitë e organeve të drejtësisë në vend.

"Ky tranzicion, nga EULEX-i tek institucionet tona, do të shpërfaqë, siç ka filluar tashmë të shpërfaqë, si fuqitë tonë ashtu edhe dobësitë tona", ka deklaruar Kuçi.

Ligjet e miratuara, kryesisht ishin të ndërlidhura me gjyqësorin në Kosovë. Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi që të nisë një reformë gjithëpërfshirëse në këtë sistem.

Haliti ka potencuar se ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, përveç se ndikojnë në jo funksionalitetin dhe joefikasitetin e organeve të drejtësisë në vend, zvarrisin edhe proceset integruese dhe liberalizimin.

"Sistemi gjyqësor në Kosovë, është evidente se është tepër i korruptuar. Atij duhet t'ia ndryshojmë mundësinë dhe duhet ta vëmë nën një kontroll siç e kanë vendet perëndimore", ka thënë Haliti.

Edhe nënkryetari tjetër i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar qeverinë për mos angazhim në përmbushjen e kritereve për liberalizim.

Liberalizimi nuk do të mund të realizohet përmes pakove ligjore, ka theksuar Konjufca.

Sipas tij, nëse lexohen me kujdes kriteret e Komisionit Evropian, shihet se Qeveria e Kosovës është larg përmbushjes së tyre pasi që ngec te luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive të pasurimit të paligjshëm nga zyrtarët publik.

"Po bëhet viti i gjashtë që kur qeveritarët tanë negociojnë me Komisionin Evropian për liberalizim të vizave, e liberalizimi i vizave nuk është askund", ka theksuar Konjufca.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me Kuvendin për reforma ligjore duke treguar kujdes vetëm në aspektet që kanë të bëjnë me kriteret evropiane.

"Unë jam i gatshëm të marrë pjesë edhe në ndryshimet që i thatë. Të vetmen gjë, si lutje që e kam, llogaridhënien ta respektojmë në tërësi dhe ato që janë kritere të BE-së e që kërkohen nga ne për liberalizim të vizave t'i respektojmë. Ndryshimet tjera unë jam shumë fleksibil që t'i bëjmë", është shprehur Kuçi.

Po në lidhje me procesin e liberalizimit, Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka organizuar të hënën një debat në Prishtinë, ku ka folur dhe shefi i sektorit të politikës, ekonomisë dhe integrimit evropian në Zyrën e Bashkimin Evropian, Thomas Gnochi.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të drejtojë gishtin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ngase me një veprim të tillë nuk do ta shpejtojë këtë proces.

Në vend të fajësimit të Evropës, Kosova duhet t'i plotësojë kriteret ka thënë zyrtari i BE-së.

Kurse zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi ka insistuar se Kosova është në fazën përfundimtare të plotësimit të kritereve.

"Presim që në javët e ardhshme të nënshkruajmë disa marrëveshje ndërkombëtare për bashkëpunim policor, pastaj që të përmbyllim demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të avancojmë sistemin për menaxhimin e kufirit, lëshimin e certifikatave të gjendjes civile me dokumentet e sigurisë sipas standardeve ndërkombëtare e të ngjashme", ka thënë Ilazi.

Në qershor, pritet që Kosova të procedoj për në Bruksel raportin ku pasqyrohen të arriturat në përmbushjen e kritereve për liberalizimin.

Negociatat me Brukselin u tha se mund të zgjasin deri në gjashtë muaj. Përderisa pengesë dhe një lloj kërcënimi ndaj këtij procesi vlerësohet se mbeten pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG