Ndërlidhjet

Manuali i IS-it për militantët, përdorni ngjyrë të padukshme dhe mustaqe false


Ngjyrë të padukshme, mustaqe të rrejshme dhe kode sekrete tingëllojnë si elemente të ndonjë novele të Nancy Drew, apo ndoshta edhe të ndonjë filmi spiunazhi për fëmijë.

Por, sipas një manuali udhëzimesh të grupit militant që e quan vetën Shteti Islamik, personat që duan të bëhen pjesë e kësaj organizate, por nuk mund të shkojnë në Siri, mund të përdorin trika të thjeshtë që të operojnë si “agjentë sekret” në vendet e tyre.

Manuali 71 faqesh në gjuhën angleze, “Si të mbijetosh në perëndim: Guida e një ‘muxhahidi’(luftëtar xhihadi)” fillimisht ishte publikuar në muajin mars nëpër rrjete sociale, ndërsa gjatë kësaj jave është rishfaqur sërish.

Aty gjendet një listë e gjatë me këshilla, përfshirë edhe mënyrën e fshehjes, shmangies nga vëzhgimi, të mbeturit i fshehtë në internet dhe “armët primitive”.

Më quani, Al

Kapitulli i parë i manualit, “Fshehja e Identitetit Ekstremist” sugjeron që militantët e Shtetit Islamik duhet të ndryshojnë emrat e tyre që të tingëllojnë më perëndimor dhe kështu të evitojnë ngritjen e dyshimeve.

Për shembull, një militant me emrin Ali,do të mund ta evitonte vëmendjen e policisë duke e quajtur vetën thjesht, Al.

Një pseudonim do të hapte dyert edhe për mundësi më të mëdha të spiunimit, thotë më tej manuali, diçka që do të “mund të bëhet e rëndësishme nëse iu duhet një pozitë e lartë në ndonjë prej posteve të qeverive armike”.

Manuali, gjithashtu, ofron edhe këshilla të tjera ndihmëse për militantët që duan të punojnë fshehtë derisa i përmbahen urdhrit të IS-it që thotë se të gjithë meshkujt duhet të bartin mjekra. Militantët mund të mashtrojnë perëndimorët duke rritur “mjekra të shkurtra me maje”, sugjeron manuali, diçka që do të bënte njerëzit të mendojnë se fjala është për mjekra që janë modë dhe që s’ka fare të bëjë me IS-in.

Thjerrëzat me ngjyra, gjithashtu, do të mund të ndihmojnë militantët për të fshehur identitetin e tyre pasi nëse zbulohen, atëherë dëshmitarët do të jepnin përshkrime të gabuara të militantëve, shkruan më tej manuali.
Gratë, ndërkohë , këshillohen që të heqin ‘hixhabët’ e zinj duke i zëvendësuar me të tjerë me ngjyra, pasi “gratë që veshin ‘hixhab’ të zinj kontrollohen më shumë nëpër aeroporte”.

Kodet dhe ngjyra e padukshme

Pra, tani që militantët dinë se si të fshehin identitetin e tyre, radha është për komunikimin në mes tyre. Udhërrëfyesi këshillon “agjentët e fshehtë” të IS-it në perëndim që të përdorin fjalë të koduara duke evituar fjalë të ndjeshme që do të mund të nxisin dyshim, në veçanti kur flasin me militantë të tjerë përmes pajisjeve elektronike.

Kur blihen apo shiten armë përmes telefonit, për shembull, militantët duhet të thonë po e “shes veturën në vend të po shesim armë”, një strategji që do të mashtronte agjentët e inteligjencës, të cilët janë duke iu dëgjuar.

Ndërkohë, ka lajme të mira për militantët që preferojnë mënyrat e vjetra të komunikimit, si për shembull letrat e shkruara me dorë. Ata mund të evitojnë zbulimin duke përdorur ngjyrë të padukshme të bërë nga lëngu i limonit, dhe kështu ai që e pranon letrën mund ta lexojë atë duke e nxehur letrën.

Por, militantëve iu thuhet që të bëjnë kujdes duke përdorur “fjali të koduara në rast se letrat dhe mesazhet zbulohen apo kapen të themi nga një agjente e inteligjencës, së cilës i kujtohet triku me lëngun e limonit nga mësimet në shkollë”.

Sugjerimet për ushtrime fizike

Militantët që aspirojnë t’i bashkohen IS-it, të cilët mendojnë se do të mund ta shkatërrojnë perëndimin duke e quajtur veten Al, duke vendosur mustaqe false dhe duke shkruar fjali të koduara me ngjyrë të padukshme do të shokohen kur të arrijnë te kapitulli i pestë që quhet ‘Trajnimi’. Aty, militantët mësojnë se “lufta e ardhshme për pushtimin e Romës do të jetë një luftë urbane brenda qyteteve dhe rrugëve të Evropës”.

“Prandaj, pyesni vetën”, thotë manuali, “çfarë lloji i trajnimit iu duhet?”

Nëse ata që duan të bëhen militant nuk nxiten mjaftueshëm nga kjo sfidë, atëherë udhërrëfyesi nënvizon që “muxhahedinët (militantët) duhet të vrapojnë disa orë, çdo ditë, në mal para se të hanë mëngjesin”.

Por, çfarë duhet bërë nëse një qytet nuk ka mal afër? Sërish, udhërrëfyesi e ofron një sugjerim praktik, duke rekomanduar alternativa si “shkoni në ushtrime (gym)” dhe “vraponi në park”.

Fatmirësisht, të dy këto opsione “konsiderohen normale në perëndim”.
Gratë, ndërkohë mund të shkojnë nëpër fitnese “vetëm për gra” apo thjesht ta “përdorin shiritin për vrapim (treadmill) në shtëpi për qëndrueshmëri”.

Përgatitja e plotë për luftën urabe, agjentët sekret në trajnim e sipër sugjerohen më tutje se “vrapimi poshtë e lart nëpër shkallë është ushtrim i mirë”.

Kur gjërat shkojnë keq…

Kapitulli 10 i titulluar “Çfarë ndodh kur ju spiunoheni apo bastiseni’, ofron këshilla ndihmëse për atë se çfarë duhet bërë kur gjërat shkojnë keq. Fjala është për ato raste kur policia e zbulon misterin e mjekrës së Al-it apo e kupton mesazhin e fjalës me kode të shkruar me ngjyrë të padukshme.

Manuali rekomandon se ata që shpresojnë të bëhen pjesë e IS-it, të mësojnë nga Hollywood-i.

“Keni parë shumë filma spiunazhi, dhe tani është koha që të implementoni disa gjëra që i keni mësuar nga këta filma. Nëse nuk dini ndonjë prej tyre, atëherë shikoni filmat për spiunin, Jason Bourne”, këshillon udhërrëfyesi, duke iu referuar filmave të suksesshëm që janë bazuar në novelat e Robert Ludlum-it.

Gjithmonë mbajeni me vete një kondom

Militantët këshillohen që gjithmonë të mbajnë me vete një “kuti mbijetese” në rast se detyroheni të jeni në arrati apo gjendeni në një zonë lufte. Kutia duhet të mbajë pajisje për të nisur zjarr, tel për kapjen e lepujve, pajisje mjekësore dhe një kondom, që siç e sqaron udhërrëfyesi, “mund të mbaj deri në një litër ujë”.


Mesazhi edhe më ogurzi

Përtej këshillave amatore, udhërrëfyesi përmban edhe mesazhe ogurzeza dhe rekomandime të rrezikshme.

Këto përfshijnë instruksione se si të bëhen dhe ndërtohen pajisje shpërthyese për t’i përdorur në sulme terroriste.

Manuali sugjeron që militantët duhet të përgatisin bomba të tenxhereve me presion, njëjtë si ajo që e ka përdorur Dzhokhar dhe Tamerlan Tsarnaev,sulmin ndaj maratonës së Bostonit, gjatë të cilit u vranë tre persona dhe u lënduar 176 të tjerë në prill të vitit 2014.

Këshilla jepen edhe për atë se si të përgatiten bomba me gozhda, detonator në telefona celular dhe “vetura bombë primitive”, si dhe mënyrat e transportimit të këtyre mjeteve deri te caku.

Propaganda e vazhdueshme

Baza e manualit është mesazhi kryesor që thotë myslimanët e perëndimit që simpatizojnë qëllimet e IS-it mund dhe duhet të kryejnë sulme prej “vetmitari” kundër caqeve në perëndim.

Simpatizantët e IS-it nuk ka nevojë që të mbajnë kartela anëtarësie të IS-it për të kryer sulme. “Lidhja e vetme e juaj me IS-in është ideologjike”, sqaron manuali.

Ky mesazh i përshtatet edhe asaj që është në videot e fundit të IS-it dhe materialet e tjera propagandiste.

Për shembull, në një video të publikuar së fundi, militant australian i IS-it dhe rekrutuesi, Neil Prakash iu ka bërë thirrje myslimanëve në Australi që të “ngrihen” dhe “të fillojnë sulmet para se ata t’iu sulmojnë juve”.

Thirrje të ngjashme për sulme “vetmitarësh” janë bërë nga militantët francez, çeçen dhe kanadez.

Vlerësimi për “vetmitarët” dhe sulmet e tjera në perëndim, në veçanti sulmet e fundit terroriste në zyrat e revistës satirike franceze, ‘Charlie Hebdo’, është një nga strategjitë kyçe të propagandës së IS-it që përdoret në manualin e IS-it. Aty shfrytëzohen disa faqe duke i diskutuar dhe përshëndetur sulmet e Parisit.

Stereotipet

Derisa shumica e manualit të IS-it duket amatoresk dhe ndoshta edhe qesharake, disa prej këshillave për atë se si “agjentët” duhet të sillen dhe të gjejnë mënyra të evitojnë zbulimin në shoqëritë e perëndimit shpërfaqë narracionin perëndimor rreth individëve të radikalizuar.

Manuali i IS-it, për shembull këshillon gratë që të veshin ‘hixhab’ me ngjyra në vend atyre të zeza sepse këto të fundit rregullisht konsiderohen si veshje e terroristëve.

Media pro Kremlinit në Rusi, Ria Novosti, e ka reflektuar këtë qëndrim në një publikim të fundit duke këshilluar rusët rreth sjelljeve të terroristëve. Aty nënvizohet se personi që e sulmoi autobusin në Volograd kishte “të veshur një hixhab të zi”.

Ndërkohë një manual francez rreth zbulimit të fëmijëve të radikalizuar i publikuar menjëherë pas sulmeve në ‘Charlie Hebdo’, ka sqaruar se militantët e rekrutuar së fundi kanë ndryshuar mënyrën e veshjes dhe sjelljes, ndërsa grafika përcjellëse me këtë pjesë ishte fotografia e një buke franceze (baguette), mbi të cilën ishte shënuar një X i madh.(a.haraqija)

XS
SM
MD
LG