Ministria e Punëve të Brendshme e ka shpallur të përfunduar aksionin policor në Kumanovë, në të cilin u vranë 8 pjesëtarë të saj dhe së paku 14 pjesëtarë të grupit të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Gjatë përleshjeve që kanë zgjatur dy ditë, janë plagosur 37 pjesëtarë të policisë, ndërsa nga grupi i armatosur janë dorëzuar 30 persona.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se gjatë aksionit dyditor, “është eliminuar një nga grupet më të rrezikshme terroriste në Ballkan“.
Lajmin për përfundimin e aksionit e ka dhënë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
“Janë gjetur trupat e 14 personave, për të cilët supozohet se kanë qenë pjesëtarë të grupit terrorist dhe po punohet për identifikimin e tyre. Gjithashtu, jam i njoftuar se pjesa më e madhe e anëtarëve të këtij grupi kanë marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj stacionit policor në Goshincë".
"Disa të tjerë kanë marrë pjesë edhe në konflikte të tjera dhe vlerësohet si grupi më i rrezikshëm terrorist në Ballkan. Është më se e sigurt se qëllimi kryesor i tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë përmes sulmeve ndaj institucioneve shtetërore, objekteve civile, shkollore e sportive“, ka deklaruar Gruevski.
Ai ka shtuar se aksioni i dy ditëve të fundit në Kumanovë, ka qenë më i vështiri i realizuar ndonjëherë në Maqedoni.
Sipas Gruevskit, në përbërjen e policisë kishte pjesëtarë nga të gjitha komunitetet, të cilët, sipas tij, kanë treguar heroizëm të paparë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë.
Zëdhënësi i Policisë, Ivo Kotevski, ka deklaruar se grupi i armatosur udhëhiqej nga disa shtetas të Kosovës, të cilët janë dorëzuar pa kushte.
“Sipas njohurive tona, liderë të këtij grupi janë Muhamed Krasniqi, i ashtuquajtur komandant Malisheva, Mirsad Ndrecaj-komandant NATO, Sami Ukshini-komandat Sokoli, Beki Rizaj, Dem Shehu-Juniku e të tjerë. Tre nga drejtuesit e grupit i janë dorëzuar policisë së bashku me mbi 30 anëtarë të tjerë“, ka bërë të ditur Kotevski.
Sikurse Kotevski, edhe kryeministri Gruevksi, nuk kanë dhënë detaje për pasoja në popullatën civile me arsyetimin se aksioni në terren është në rrjedhë e sipër.
Kryeministri Gruevski ka theksuar se Qeveria do t’i mbulojë shpenzimet për meremetimin e shumë shtëpive që janë djegur gjatë aksionit policor, në këtë lagje të Kumanovës, të banuar me popullatë shqiptare.
“Maqedonia ka forcë që të ecë para. Persona dhe ngjarje të tilla nuk do të mund ta pengojnë drejt qëllimeve strategjike të saj. Të gjithë atyre që tentojnë të dëmtojnë shtetit i dërgoj mesazhin e qartë se do të përfundojnë sikurse ky grup terrorist“, ka deklaruar Gruevski.
Ngjarjet në Kumanovë kishin nxitur reagime të shumta, si nga partitë politike, ashtu edhe nga përfaqësitë e huaja diplomatike.
Partitë opozitare, në veçanti Lidhja Social-Demokrate e Zoran Zaevit, kanë ngritur dilema të shumta nëse ngjarja ishte inskenim me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, por në të njëjtën kohë, në vazhdimësi bënin thirrje për qetësi dhe përmbajtje nga provokimet.
Thirrje për qetësi kanë drejtuar edhe ambasada e SHBA-së, Zyra e BE-së dhe misioni i OSBE-së.