Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 32 qytetarëve të Kosovës për “vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm”, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Veprat penale me të cilën ngarkohen personat e akuzuar, të cilët në komunikatën e prokurorisë janë prezantuar vetëm me iniciale, përmbanë akuzat për “rekrutim për terrorizëm”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, “për disa nga të akuzuarit ekziston dyshimi i bazuar se iu kanë bashkangjitur për të luftuar grupit terrorist në Siri, të quajtur ISIS, disa të tjerë kanë bërë ftesë për qytetarë për t’iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz për të dërguar në luftën e Sirisë, dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizatat e lartcekura terroriste të shpallura nga OKB-ja”.
Gjithmonë sipas njoftimit, hetimi për këto raste kishte nisur më 9 gusht të vitit të kaluar ndaj 57 personave, ndërsa të njëjtën kohë ishin arrestuar mbi 40 persona.
“Nga ky grup 32 persona janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet dhe 7 persona ende gjenden në arrati”, thuhet në njoftim.
“Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit”, thuhet në fund të njoftimit të prokurorisë.