Ndërlidhjet

Këshilli për zhvillim ekonomik, jofunksional


Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të rifunksionalizojnë Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Mos funksionimi i këtij Këshilli, sipas tyre, ka bërë që të pamundësohet adresimi i problemeve që kanë bizneset.

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ishte themeluar në vitin 2012 dhe ishte i obliguar që të mbante takime një herë në muaj. Pjesë e këtij Këshilli është Qeveria e Kosovës me përfaqësuesit e bizneseve, si: Oda Ekonomike, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se gati një vit ky këshill nuk ka mbajtur as edhe një takim.

“Është e pakuptimtë që afër gjashtë muaj që kur është themeluar qeveria e re, nuk ka arritur të rinfunksionalizojë Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Odat ekonomike, asociacionet e biznesit mund të bashkëbisedojnë në mënyrë zyrtare me qeverinë, dhe në mungesë të funksionazlimit të këtij këshilli atëherë duhet të shfrytëzohen mënyra të tjera apo organizime të tjera jo formale për të adresuar këto çështje”, thekson Zeka.

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ka për qëllim përmirësimin e ambientit biznesor në Republikën e Kosovës, si dhe zbatimin e masave më efektive në rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit, në harmoni me praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.

Arian Zeka thekson se rëndësia e këtij Këshilli është e jashtëzakonshme, pasi që aty ishte arritur të iniciohen shumë çështje.

“Nëse bëjmë një përmbledhje të së kaluarës, Këshilli Kombëtar ka qenë një mekanizëm i cili ka mundësuar zhvillimin e dialogut ndërmjet sektorit privat dhe publik. Në këtë Këshill, ishte iniciuar ndryshimi i Ligjit për festat zyrtare, është iniciuar ndryshimi i Ligjit të punës, është iniciuar nxjerra e Ligjit për mallërat e liruara nga detyrimet doganore dhe disa iniciativa të tjera”, sqaron Zeka.

Megjithatë, Zeka shton se të gjitha këto inicime të këtyre çështjeve kanë ngecur.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë "Frutex" nga Suhareka, Shaqir Palushi, thekson për Radion Evropa e Lirë se mosfunksionimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është një mangësi e madhe për bizneset.

“Mos mbajtja e takimeve të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është një hendikep i madh për ekonominë e vendit. Prodhuesit kosovarë kanë shumë probleme dhe shqetësime të mëdha që duhet të adresohen. Një ndër arsyet e ngecjes së ndryshimeve që janë paralajmëruar në politikat fiskale është pikërisht mosfunksionimi i këtij Këshilli”, thekson ai.

Qeveria e Kosovës në programin qeverisës ka paraparë fuqizimin e dialogut publiko-privat, me asociacionet e biznesit, nëpërmjet siç thuhet në program, operacionalizimit të vazhdueshëm të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG