Ndërlidhjet

Sektori publik, pa shërbime kardiokirurgjike


Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk është funksionale. Mungesa e resurseve njerëzore, ka bërë që në këtë klinikë të mos mund të kryhen operacione të zemrës.

Izet Sadiku këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, tha për Radion Evropa e Lirë se është formuar një këshill që po punon në gjetjen e mënyrës për ta funksionalizuar këtë shërbim.

"Ne prej dhjetorit kemi pasur pengesa në funksionalizimin e kësaj klinike. Andaj kemi filluar analizën e situatës, me qëllim të krijimit të kushteve për funksionalizim. Në këtë klinikë ka mungesë stafi dhe pas shumë bisedave me kardiokirurgët kosovarë, kemi vendosur të themelojmë këshillin për funksionalizimin e kardiokirurgjisë".

"Ky këshill, i cili përbëhet prej dy kardiokirurgëve kosovarë, një anesteziologu dhe një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë, do të bëjë një plan për trajnimin e stafit. Plani do të dërgohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës për përkrahje", tha Sadiku.

Sidoqoftë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se nga kjo ministri janë ndarë shuma të mëdha parash, ku konsiderohet se pjesa më e madhe e buxhetit, për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore, kanë shkuar për shërimin e qytetarëve nga sëmundjet e zemrës.

Vetëm gjatë vitit 2014 janë shpenzuar 490 mijë euro në spitale private, apo edhe në vendet jashtë Kosovës.

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se ndonëse janë investuar shuma të mëdha parash në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ajo pothuajse gjithmonë është përballur me vështirësi në punë.

"Ajo nuk ka qenë pothuajse asnjëherë funksionale, edhe kur ka punuar, kanë ardhur ekipet e huaja për të kryer operacionet e zemrës për pacientët. Si shërbim është shumë i nevojshëm. Unë mendoj se është çështje imediate hapja dhe funksionalizimi, pasi që është investuar në të, andaj të investohet edhe në staf, dhe të fillojë funksionimi", theksoi Selmani.

Ndërkaq, sipas një hulumtimi të bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thuhet se për një vit, jashtë Kosovës dalin rreth 280 milionë euro për shërbime shëndetësore.

"Ne e dimë që për çështje të ndryshme, rreth 280 milionë euro në vit dalin jashtë Kosovës për shërbime shëndetësore. Këto janë statistika të Organizatës Botërore të Shëndetësisë", tha zoti Selmani.

Sipas Izet Sadikut ndërkaq, parashihet që brenda disa muajsh të mund të fillojë së funksionuari Klinika e Kardiokirurgjisë.

"Besojmë që për gjashtë muaj do të krijohen kushtet, e të funksionalizohet Klinika e Kardiokirurgjisë", tha ai.

Ndryshe, Klinika e Kardiokirurgjisë ishte funksionalizuar në vitin 2013, ku ishin kryer operacione në zemër të hapur.

Mjekët kosovarë kanë bashkëpunuar me mjekë nga rajoni e Evropa, ku ishte punuar edhe me teknikë të re, pa asistim të aparatit të qarkullimit jashtë trupor, pra pa e ndalur punën e zemrës.

Në këtë klinikë ka punuar për më shumë se një vit vetëm një kardiokirurg.

Dy kardiokirurgë të tjerë, të cilët kishin punuar më parë, vitin e kaluar e kanë ndërprerë marrëdhënien e punës, për të vazhduar së punuari në spitale private.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG