Krimi i organizuar ndërkufitar, migrimet dhe pjesëmarrësit në luftërat e huaja, mbeten shqetësuese për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar ambasadorja Amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.
Këto komente, ajo i ka bërë gjatë organizimit të Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP), që funksionon në kuadër të departamentit amerikan të drejtësisë ku kanë marrë pjesë drejtorët e përgjithshëm të policive nga vendet e rajonit, si Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Maqedonia.
"Në këtë rajon, në veçanti shqetësuese mbeten çështja e krimit të organizuar ndërkufitar, migrimet e paligjshme. Së fundi, janë shqetësuese po ashtu edhe tendencat e luftëtarëve pjesëmarrës në luftërat e huaja në Siri dhe Irak që të kthehen në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekja për joshjen e të rinjve me ideologjitë ekstremiste", ka deklaruar Jacobson.
E vetmja mënyrë që parandalon, por edhe i lufton këto krime komplekse, ka thënë ambasadorja amerikane, është bashkëpunimi ndër shtetëror në rajon, siç ishte organizimi i këtij programi.
Për këtë qëllim, ajo tha se në takim po marrin pjesë edhe ekspertët nga FBI, të cilët do t'u ofrojnë krerëve të policisë dhe prokurorive të shteteve të rajonit përvojat e tyre për ballafaqimin me krime të tilla.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë se kriminelët dhe terroristët bashkëpunojnë pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare apo shtetërore. Kështu që luftimi i këtyre dukurive, sipas tij, është i mundur vetëm përmes një bashkëpunimi ndërmjet të gjitha vendeve të rajonit.
"Luftimi i krimit të organizuar, luftimi i trafikimit me qenie njerëzore, tregtia e paligjshme e armëve, si dhe tema aktuale dhe shumë e nxehtë e radikalizmit dhe lufta kundër terrorizmit, përkatësisht parandalimi i pjesëmarrjes së qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në konfliktet e huaja, kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet vendeve të rajonit në njërën anë si dhe bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ka theksuar Maxhuni.
Organizimet e takimeve të përbashkëta të krerëve të policive të shteteve të rajonit me qëllim të luftimit të krimit të organizuar ndërkufitar dhe terrorizmit, tashmë janë bërë të zakonshme.
Bashkëpunimi ndërkufitar i vendeve të rajonit u intensifikua kohët e fundit qoftë pas valëve të migrimeve të paligjshme, apo edhe pas rritjes së numrit të personave që vendosën të shkojnë dhe marrin pjesë në luftërat e huaja, kryesisht në Siri e Irak.
Lidhur me dukurinë e pjesëmarrjes në luftërat e huaja, Kosova ka miratuar tashmë edhe Ligjin i cili sanksionon këtë pjesëmarrje, për çka edhe ka marrë mirënjohje politike nga shtetet perëndimore të angazhuara në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.