Ndërlidhjet

E ardhmja e së kaluarës: Dekomunizmi i Ukrainës


Monumenti i Vladimir Lenin
Monumenti i Vladimir Lenin

Në fund të shtatorit 2014, një turmë njerëzish, duke valëvitur flamujt e Ukrainës dhe duke brohoritur “lavdi Ukrainës”, ka rrëzuar statujën masive të liderit sovjetik, Vladimir Lenin.

Në faqën e tij në Facebook, ministri i Brendshëm, Arsen Avakov, nuk ka shprehur keqardhje për idhullin e rënë. “Le të bie”, ka shkruar ai.

Shkatërrimi dramatik i përmendoreve të Leninit në gjithë Ukrainën, gjatë protestave të Euromaidanit ka qenë më shumë se një imazh në lëvizje.

Ka qenë kthim në një proces psiko-kulturor që ky vend e ka nisur, por nuk e ka përfunduar kurrë – një proces që Rusia e Vladimir Putinit e konsideron po aq kërcënues sa edhe perspektivën e Ukrainës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian apo NATO-s.

Më 9 prill, Parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, ka miratuar katër ligje për dekomunizmin, të cilat, pos tjerash, ndalojnë simbolet sovjetike dhe barazojnë regjimet sovjetike dhe naziste. Iniciuesit e ligjeve shpresojnë se ato do të bëjnë ndarje përfundimtare dhe të parevokueshme me të kaluarën sovjetike të Ukrainës dhe me Rusinë e Putinit.

“Çdo reformë vjen me kosto. Por, unë mendoj se këto kosto justifikohen, sepse kjo është mënyra se si një vend nis të ndryshojë. Ne shohim përvojat e vendeve të Evropës Lindore, të cilat kanë kaluar përmes dekomunizmit dhe shohim se sa larg kanë shkuar si vende normale dhe demokratike".

"Në anën tjetër, shohim edhe vendet si Rusia ose Bjellurusia, ku nuk ka pasur proces të dekomunizmit. Këto shtete janë duke lëvizur gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit”, thotë Volodymyr Vyatrovych, drejtor i Institutit të Kujtesës Kombëtare në Ukrainë.

Reagimi i Moskës për nismën e dekomunizmit në Ukrainë ka qenë negativ. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse, më 10 prill, është thënë se ligjet e reja janë “pjesë e një lufte të përshpejtuar kundër së kaluarës historike të popullit të Ukrainës”.

“Duke etiketuar periudhën 1917-1991, si periudhë të luftës për pavarësinë e Ukrainës, duke deklaruar regjimin komunist totalitar të asaj periudhe si kriminal dhe duke zhvilluar një politikë të terrorit shtetëror, autoritetet e tanishme të Ukrainës po bëjnë përpkekje të fshijnë nga kujtesa e miliona ukrainasve faqet e historisë reale të Ukrainës në shekullin 20 dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm si pjesë e Bashkimit Sovjetik”, është thënë në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë më 14 prill se ligjet e reja janë “fatale” për procesin e Minskut, që ka për qëllim t’i japë fund luftës në lindje të Ukrainës, midis Kievit dhe separatistëve pro-rusë.

Nga pikëpamja e Kremlinit të Putinit, e kaluara komuniste është koha e përparimit ekonomik, rendit social dhe, më e rëndësishmja, e fitores kundër Gjermanisë naziste. Për një numër në rritje të ukrainasve, ajo është koha e urisë, terrorit dhe shtypjes së ambicieve kombëtare të Ukrainës.

“Motiv kryesor i deputetëve në kalimin e ligjeve (të dekomunizmit) ka qenë t’i jepet përgjigje e caktuar ideologjike agresionit rus”, thotë sociologu ukrainas, Viktor Nebozhenko, sipas të cilit, edhe opinioni publik në Ukrainë e mbështet qartë dekomunizmit.

Por, një histori krejtësisht ndryshe është përtej kufirit në Rusi, thotë Lev Gudkov, kryetar i Qendrës Levada, e cila merret me kryerje të sondazheve.

Në Rusi, pikëpamjet pozitive dhe neutrale për Stalinin kanë qenë vazhdimisht në rritje që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Tani, thotë Gudkov, Stalini konsiderohet si figura më e madhe në historinë ruse, duke tejkaluar madje edhe gjigantët e tjerë historikë, si Petri i Madh dhe Aleksander Nevsky.

“Ka pasur një dehje të paepur, graduale dhe sistematike të opinionit publik në favor të Stalinit dhe sistemit komunist”, thotë Gudkov.

Sipas një sondazhi të Qendrës Levada në muajin mars, 37 për qind e rusëve e shohin Stalinin si të favorshëm, 29 për qind janë indiferentë dhe vetëm 25 për qind e shohin negativ.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG