Ndërlidhjet

Opozita premton protestë paqësore


Pamje nga protesta e 24 janarit në Prishtinë
Pamje nga protesta e 24 janarit në Prishtinë

Tri partitë opozitare në Kosovë kanë zhvilluar takimin e radhës në kuadër të koordinimit të hapave për organizimin e protestës së paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë.

Opozitarët janë zotuar se protesta do të jetë e qetë dhe do të ketë si qëllim kundërshtimin, e siç thuhet “kapjes së shtetit” nga partitë në pushtet.

Kryetari i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili kësaj radhe ishte nikoqir i takimit, ka thënë se opozita e dënon gjuhën kërcënuese e cila u përdor Kuvendin e Kosovës nga koalicioni qeveritar.

“Ne e ftojmë qeverinë e Kosovës dhe posaçërisht dy drejtuesit e saj që të mësojë se çka është demokracia dhe të mos e mbështesin qeverisjen e tyre në aparatin e dhunës. Të heqin dorë nga mashtrimet, gënjeshtrat dhe shpifjet mbi bazën e të cilave kanë fituar zgjedhjet dhe t’i lënë qytetarët lirshëm që të shprehin qëndrimin e tyre, pakënaqësinë e tyre në protestën paqësore që e kemi thirrur”, ka thënë Limaj.

Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar se reagimet e eksponentëve të qeverisë japin një panik, me çka sipas tij po tregohet se kjo qeveri ua ka frikën qytetarëve të vet.

“Këto kërkesa përveç se janë të drejta janë edhe lehtë të realizueshme dhe janë të dobishme për zhvillimin e jetës në Republikës së Kosovës, për zhvillimin e një jete demokratike në një vend, në një shtet, ku qytetari është edhe burim sovraniteti”, ka theksuar Ymeri.

Po në lidhje me protestat e paralajmëruara, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar të premten se ato janë e drejtë legjitime, por ka bërë thirrje që protestuesit të marshojnë qetë dhe dinjitetshëm.

Protesta është e drejtë e pakontestueshme e secilës shoqëri demokratike, por unë u bëj thirrje të gjithëve që duhet të sigurojnë një protestë të qetë e të dinjitetshme”, ka thënë Jahjaga.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma kanë thirrur këtë protestë, ku ndër tjera është thënë se do të kërkohet shfuqizimi i vendimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike, shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, dorëheqja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, shkarkimi i Menaxhmentit të RTK-së, shpallja e kombinatit Trepça ndërmarrje publike me status të veçantë si dhe të ndalet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Po në lidhje me këtë protestë, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi kanë deklaruar se liderët opozitar duan të krijojnë tensione në vend me qëllim të krijimit të rrethanave politike për të ardhur në pushtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG