Ndërlidhjet

Thaçi (s')mund të arrestohet nëse shkon në Beograd


Ministri i punëve të jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë disa paralajmërime se mund të arrestohet në Serbi nëse vendos që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së një organizate joqeveritare për pjesëmarrje në një konferencë rajonale në Beograd më 24 prill.

Këtë e ka konfirmuar vetë Vladimir Vukçeviq, Prokuror për Krime të Luftës në Serbi. Sipas tij, “urdhër-arresti për Hashim Thaçin është në fuqi në Serbi”, kështu që nëse Thaçi vendos të shkojë në Beograd, mund të arrestohet.

Por, koordinatorja e projektit RECOM (Koalicioni për Komisionin rajonal për vërtetimin e fakteve për viktimat e luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë), Natasha Kandiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pozicioni i Hashim Thaçit i tejkalon autorizimet e cilitdo organ në Serbi, pasi që për fatin e tij mund të vendosin vetëm organet evropiane.

“Të gjithë e dimë që ai, Thaçi është bashkëbisedues në dialog dhe përfaqëson Kosovën dhe mendoj se deklaratat e prokurorit për krimet e luftës në Serbi nuk janë të mirëseardhura”, është shprehur Kandiq.

Sipas saj, në Kosovë është duke u themeluar Gjykata Speciale për krimet e luftës dhe në bazë të hetimeve të prokurorit amerikan Clint Williamson do të dihet më pas se cilët janë ata persona që mund të arrestohen dhe dërgohen në gjykatë.

“Se kush do të jetë i akuzuar, kjo i tejkalon autorizimet e organeve të Serbisë. Kjo kompetencë do të jetë në përgjegjësinë e kësaj gjykate evropiane”, ka deklaruar Kandiq.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi është ftuar në Beograd për të marrë pjesë në Konferencën “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian me moton: Së bashku mund të bëjmë edhe më mirë”, të cilën e organizon “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”.

Fletë-arresti ndaj Thaçit, daton që nga koha e Sllobodan Millosheviqit, për shkak të pjesëmarrjes së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por, pas luftës, ky fletë-arrest, i lëshuar aso kohe edhe përmes Interpolit, është shfuqizuar për vendet tjera, përderisa në Serbi, prokurori serb ka bërë me dije se mbetet ende ne fuqi.

Juristi Bogolub Millosavleviq, profesor në Universitetin Union në Beograd, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se formalisht prokurori Vukçeviq ka të drejtë, por a do të zbatohet ky urdhër- arrest është diçka tjetër.

“Pasi që bëhet fjalë për vepra që ndërlidhen me krimet e luftës, arrestimi mund të ndodhë pavarësisht se kanë kaluar shumë vjet, pasi që këto vepra nuk vjetërsohen”, ka thënë Millosavleviq.

Por, sipas tij, tani kur është në proces formimi i Gjykatës Speciale në Kosovë, mund të ndodhë që të gjitha rastet e dyshuara të transferohen në kompetencë të kësaj Gjykate, e cila do të drejtohet nga ndërkombëtarët.

Me gjithë paralajmërimet e autoriteteve serbe, ftesës së Organizatës Joqeveritare, “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”, zëvendëskryeministri Thaçi i është përgjigjur në parim pozitivisht.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ministria i është përgjigjur pozitivisht ftesës, sepse “këto vizita e ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ai, megjithatë, ka thënë se kjo është përgjigjja paraprake.

“Nëse do të ketë vizitë, nuk varet nga Kosova, por gatishmëria në Beograd”, ka thënë Selimi.

Megjithatë, ishte vetë ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ai i cili i kishte dërguar një mesazh homologut të tij nga Kosova, Hashim Thaçit se nuk ka çfarë kërkon në këtë konferencë, duke i bërë me dije atij, se as ai vetë nuk do të jetë pjesëmarrës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG