Ndërlidhjet

Zharku: Të mos krijohet praktika e ndryshimit të Bordeve, sa herë ndryshon ministri


Arben Zharku
Arben Zharku

Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, tha se Ligji për kinematografi jep të drejtën që ministri i Kulturës të emërojë Këshillin Drejtues. Por, sipas tij, "është e rëndësishme që mos të krijohen raste, që sa herë që ndërrohet një ministër, të bëjë ndryshme të Këshillave drejtues, të cilët janë boshti i institucionit, por duhet të shikohet të mbahet një vazhdimësi në punën që e bëjmë ne si institucion, por edhe institucione tjera të kulturës".

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zharku, çfarë po ndodh realisht me Qendrën Kinematografike të Kosovës, dhe me çfarë sfidash po përballet ky institucion?

Arben Zharku: QKK-ja sapo e ka krijuar Bordin e ri, Këshillin drejtues, i cili është emëruar nga ministri i Kulturës, zoti Kujtim Shala. Kjo ka qenë edhe pritja jonë si institucion, në mënyrë që të fillojmë proceset tjera, siç është hapja e konkursit për këtë vit, që për ne është puna më e madhe, dhe për të gjithë ata që duan të bëjnë film, është pritja më e madhe për t’i realizuar projektet e tyre.

Ne së shpejti (brenda dy javëve të ardhshme) do ta hapim konkursin. Ky konkurs, si çdo vit, përfshin mbështetjen e filmave të metrazhit të gjatë, ko-produksionet me shtetet tjera, filmat e metrazhit të shkurtër, dokumentaret, animacionet. Dhe, krahas kësaj pune, Qendra Kinematografike e Kosovës ka aktivitete tjera, të cilat zhvillohen në vende të ndryshme të botës, siç janë tregje të ndryshme të filmit, por edhe pjesëmarrja e filmave të mbështetur nga QKK-ja në festivalet ndërkombëtare.

Gjatë javës së ardhshme do të jemi prezent në Festivalin e Filmit të Stambollit, ku do të flas për bashkëpunimet rajonale, sidomos me vendet e Ballkanit. Bashkë do të jenë edhe përfaqësues të fondeve tjera nga Bullgaria, Bosnja dhe vende tjera, të cilat do të flasin për sfidat, të cilat i kemi këtu në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Sa është e ndikuar politikisht QKK-ja?

Arben Zharku: Parimisht, Ligji për kinematografi jep të drejtën që ministri i Kulturës të emërojë Këshillin Drejtues…vetë fakti që ministri është politik, edhe këshilli konsiderohet si emërim politik. Por, është me rëndësi që në këto raste, Këshilli të jetë me njerëz profesionist, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme dhe të mos ndikohet nga politika partiake, por të ndikohet nga politika të rëndësishme të zhvillimit të kinematografisë së Kosovës, për faktin se Këshilli drejtues përcakton politikat afatgjate të zhvillimit të kinematografisë, ndërsa stafi, prej drejtorit dhe punëtorët tjerë, janë më shumë menaxhues të këtyre politikave.

Është e rëndësishme që mos të krijohen raste, si për shembull, sa herë që ndërrohet një ministër, të bëjë ndryshime të Këshillave drejtues, të cilët janë boshti i institucionit, por duhet të shikohet të mbahet një vazhdimësi në punën që e bëjmë ne, si institucion, por edhe institucione tjera të kulturës. Parimisht, është normale dhe duhet të kuptohet kjo, se ministri është politik, dhe çdo emërim i tij është politik.

Por, me rëndësi është që këto emërime të jenë të njerëzve, të cilët janë profesionistë; të cilët kanë dëshmuar suksesin e tyre në këtë fushë; njerëz të cilët kanë kredibilitet; njerëz të cilët nuk vijnë me agjenda të caktuara për ta rrënuar, në njëfarë mënyre, institucionin, mirëpo vijnë njerëz të cilët mund t’i sjellin dobi industrisë së filmit dhe mund të avancojnë institucionin edhe në nivel tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Qendra Kinematografike e Kosovës, si bashkëprodhuese, ka investuar shuma mjaft të mëdha në filma të huaj. A kanë qenë investime të kota, apo kanë pasur ndonjë efekt pozitiv në kinematografinë e Kosovës? A e ka Kosova këtë komoditet, që të financojë projekte të huaja?

Arben Zharku: E ka apo nuk e ka, këta janë trendët evropianë. Sikurse ne që dëshirojmë të marrim fonde në vende tjera, edhe Kosova duhet të japë fonde, sidomos në filma, të cilët angazhojnë ekipe kosovare. Parimisht, nëse flasim në vlerën monetare, të gjitha fondet që i ndajmë për ko-produksione minore, ato fonde mbesin në Kosovë, sepse janë të obliguar që ato shuma t’i shpenzojnë në Kosovë. Kjo bëhet në gjithë Evropën dhe janë ligje të caktuara, rregullore të cilat na obligojnë që të bashkëprodhojmë me vende të ndryshme të botës.

Mendoj që nga kjo, ne vetëm përfitojmë për arsye se Kosova nuk është ndonjë vend që ka industri të mirë të zhvilluar të filmit, pastaj nuk ka ekipe kreative të mjaftueshme për realizimin e një industrie të vogël të filmit. Dhe, nga ky bashkëpunim, ne mësojmë - ekipet kosovare punojnë me ekipe ndërkombëtare, përfitojnë.

Pastaj, këta filma janë zakonisht filma të autorëve shumë të mirë, siç ishte rasti te filmi “Burrneshat”, ku Kosova, me një investim jashtëzakonisht të vogël, ka arritur që të futet në festivalet më të mëdha të botës, t’i dërgojë aktorët kosovarë në këto festivale, siç ishin Luan Jaha dhe Ilire Vinca.

Ka edhe disa projekte tjera filmike, për shembull ko-produksioni me Izraelin, pastaj me Maqedoninë dhe Shqipërinë, që Kosovës i kanë sjellë një afirmim jashtëzakonisht të madh. Ne e shohim që kjo ka ndikuar pozitivisht edhe në ekipet kreative që punojnë në realizimin e këtyre filmave.

Siç e ceka më herët, nëse pretendojmë integrimet evropiane, Evropa i ka këto rregulla, diku rreth 20 për qind e buxheteve të fondeve të filmave duhet të ndahet për ko-produksione, dhe ne, në njëfarë mënyre, u kemi paraprirë këtyre rregullave evropiane dhe kemi përfituar jashtëzakonisht shumë edhe në mënyrë profesionale, por edhe nga ana e ndërtimit të imazhit të mirë të vendit tonë, si dhe kinematografisë kosovare.

Radio Evropa e Lirë: A janë politika të drejta këto politika të investimit në filma? Pse duhet një film i Kosovës të gjejë patjetër ko-produksion, për ta realizuar filmin, duke marrë parasysh që një gjë e tillë merr shumë kohë dhe e ngadalëson ritmin e prodhimtarisë?

Arben Zhaku: Ligjet aktuale në Evropë dhe Kosovë janë që fondi nacional nuk mundet ta mbështesë një film 100 për qind. Ka kaluar kjo kohë, kjo është bërë vetëm në kohën e Jugosllavisë dhe kohën e komunizmit, ku shteti ka prodhuar 100 për qind filmin e vet, dhe në atë mënyrë ka bërë edhe propagandë politike.

Tash ekzistojnë rregulla të tjera në vende demokratike, siç është Evropa, ku edhe Kosova është pjesë e saj. Fondet e filmit, apo siç e kemi me ligjin tonë, deri në 51 për qind mund ta mbështesim një film të metrazhit të gjatë, ndërsa pas asaj, producentët do të jenë të detyruar të gjejnë fonde tjera në mënyrë që t’i realizojnë filmat e tyre. Kjo është gjë shumë e mirë, sepse nuk i bën producentët dembelë, dhe e rrit ambicien kreative për të realizuar një projekt filmik.

Nëse projekti është i dobët, atëherë asnjë fond tjetër nuk do ta mbështesë, dhe parimisht ne do të tërhiqemi nga ai projekt, po e marrim si shembull, ndërsa projektet e mira automatikisht gjejnë fonde ndërkombëtare. Me gjetjen e fondeve ndërkombëtare, në njëfarë mënyre është edhe konfirmim se këto tregime janë të vlefshme për publikun ndërkombëtar, sepse synimi kryesor i të gjithë filmave që realizohen me fonde publike në Kosovë, është shfaqja ndërkombëtare nëpër festivale dhe ngritjen kreative të këtyre ekipeve.

Dhe në këtë mënyrë rritet bashkëpunimi, njohja me vendet tjera, e në të njëjtën kohë, kur gjenden fonde ndërkombëtare, ata fusin edhe atë “impulsin” kreativ në film dhe bëjnë që filmi të këtë sukses më të madh. Kjo është politika, të cilën ne pretendojmë ta përcjellim vitet e ardhshme; a është e mirë dhe a ka politikë tjetër, me siguri ndoshta ka politika edhe më të mira, mirëpo kjo është çka ne dimë, kjo është çka ne e shohim në Evropë dhe nga eksperienca që e kemi bërë me shtet tjera evropiane dhe botërore, mendojmë që për Kosovën, një vend të vogël, është mirë të bashkëprodhohet me vende tjera evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur mosmarrëveshje rreth festivaleve të filmit. Buxhetet e shumicës së festivaleve janë zvogëluar dukshëm. Tash, sipas jush, çfarë do të ndodhë me festivalet e Kosovës?

Arben Zharku: Me të vërtetë për mua është e dhimbshme që të gjitha këto festivale që mbahen me vite të tëra, ka festivale që mbahen me mbi dhjetë vjet. Kjo (zvogëlimi i buxhetit) është e dhimbshme, sepse festivalet në Kosovë janë realisht të vetmet vende ku bëhet shfaqja publike e filmit, për shkak të mungesës së rrjetit të kinemave në Kosovë, dhe pavarësisht që disa festivale janë mbajtur nëpër qytete të ndryshme dhe nuk kanë pasur ndonjë profesionalizëm të duhur, ata kanë qenë si pikë-grumbullimi i njerëzve për shafqje publike. Ndryshe përjetohet shfaqja publike në kinema dhe ndryshe përjetohet në shtëpi.

Mendoj që për ta zhvilluar një kinematografi, duhen festivale. Festivalet janë thelbësore, sepse sjellin eksperiencë ndërkombëtare, punëtori të ndryshme, dhe sjellin filma të cilët nuk ke mundësi t’i shohësh në asnjë mënyrë tjetër, dhe i grumbullojnë të gjithë adhuruesit e filmit. Po shpresoj që këto festivale do të gjejnë mënyra tjera alternative për t’u financuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG