Ndërlidhjet

Tiranë: Shtyhet gjyqi ndaj 9 të akuzuarve për terrorizëm


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të 9 të arrestuarve të cilësuar si “Grupi i xhihadistëve”, që akuzohen për nxitje të terrorizmit dhe rekrutim të luftëtarëve shqiptarë për t’i dërguar dhe financuar në Siri, përkrah IS-it.

Ndonëse në këtë seancë ata ishin të përfaqësuar nga një avokat, përsëri qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar.

Imami i vetëshpallur Genci Balla ka deklaruar se ai si mysliman dhe 8 të pandehurit e tjerë, nuk mund të gjykohen nga ligje të tjera veç atyre të Allahut, pasi në të kundërtën ata do të shkelnin mbi besimin, duke ritheksuar se ata nuk e njohin gjykatën.

Avokati përfaqësues i të pandehurve, Roland Islami, ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe shtyrje të seancës.

Gjykata ka pranuar vetëm kërkesën e shtyrjes së seancës, duke përcaktuar datën 18 prill për zhvillimin e seancës së radhës.

“Kjo është gjykata e djallit, njohim ligjet e Allahut”, ka thënë imami Zeqir Imeri, gjatë seancës gjyqësore.

Ndërsa imami Bujar Hysa, ka akuzuar gjykatësit se kanë dhënë vendime pafajësie për vrasje.

“Nuk jemi naivë, me ne bëni teatër”, iu është drejtuar ai gjykatësve.

Mbyllja e seancës ka degraduar në deklarata të forta dhe mallkime të të pandehurve ndaj trupit gjykues e grupit të prokurorëve, të cilët nuk i morën seriozisht fyerjet e nisura në adresë të tyre.

Në muajin mars 2014, Prokuroria në Tiranë lëshoi urdhër arrestet për 7 prej të pandehurve, të cilët u arrestuan nën akuzat e nxitjes së terrorizmit dhe rekrutimit të luftëtarëve shqiptarë për t’i dërguar dhe financuar në Siri, në kuadër të ISISI-it.

Ndërsa, Gert Pashja, njëri prej të ndaluarve, u arrestua në Turqi, dhe u soll në prill të vitit 2014 për t’u gjykuar së bashku me të tjerët në Shqipëri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG