Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë dhe ekspertët e çështjeve ekonomike, iu bëjnë thirrje bankave komerciale që operojnë në Kosovë që të rrisin qasjen në financa.
Sipas tyre, derisa këto banka janë mirë të kapitalizuara dhe të mbikëqyrura, duhet të lehtësojnë kushtet në dhënien e kredive.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjatë vizitës dy javore që i kishte bërë Kosovës kishte theksuar se “bankat komerciale në Kosovë janë të shëndosha dhe të mbikëqyrura mirë, por duhet që të bëhen në përgjithësi më shumë përpjekje për ta rritur qasjen në financa”.
Milazim Abazi, ekspert për çështje financiare, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë i quan të ashpëra kriteret e bankave për dhënien e kredive dhe mbi të gjitha sipas tij, normat e interesit janë të larta.
“Bankat komerciale në Kosovë janë mirë të kapitalizuara dhe me depozita, por kanë dhënë shumë pak kredi karshi potencialit dhe mundësive që ata i kanë. Zbutja e kritereve për marrjen e kredive do të mundësonte zhvillimin e bizneseve dhe njëkohësit do të rriste zhvillimin ekonomik në vend”, bënë të ditur Abazi.
Normat efektive të interesit për kredi, sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, fillojnë nga 10.8 për qind, por kjo varet nga banka dhe lloji i kredisë.
Në anën tjetër, Petrit Balija, drejtor i Shoqatës së Bankave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thekson se bankat komerciale kanë pasur rritje të kreditimit gjatë vitit 2014.
“Kjo është një shenjë e mirë që ka kreditim më të madh. Edhe bankat do të donin të ketë kreditim edhe më të madh, pasi që edhe likuiditeti është mjaft i lartë, por kjo varet nga kërkesat e bizneseve, sa do të ketë zhvillim ekonomik në vitin 2015 dhe a do të ketë rritje të kërkesës së bizneseve për kredi drejtë bankave”, shton Balija.
Sa i përket normave të interesit të cilat kritikohen nga bizneset, Balija thotë se normat e interesit për kredi janë më të ulëta se që kanë qenë ndonjëherë.
Duke folur për kriteret që bankat komerciale i kanë për dhënien e kredive Balija, thotë se edhe duhet të jenë të ashpëra.
“Kriteret duhet të jenë të ashpëra për mendimin tim pasi që bankat duhet të ruajnë stabilitetin e tyre, siç dihet prioritet i prioriteve duhet të jetë siguria e depozitave bankare dhe ne nuk guxojmë të marrim riske të paarsyeshme dhe kriteret duhet të jenë serioze dhe të ashpra”, vlerëson ai.
Sidoqoftë, për ekspertin e çështjeve ekonomike Milazim Abazi, bankat komerciale në Kosovë kanë hapësirë të mirë për të ulur normat e interesit në kredi.
“Në Kosovë ka mjaft qytetarë që dëshirojnë të krijojnë biznese, por nuk kanë qasje në financa edhe këtu bankat duhet të jenë të kujdesshme dhe jo të gjitha bizneseve të iu kërkojnë hipotekë për të marrë kredi. Bankat duhet të jenë më dorëlira”, vlerëson Abazi.
Shuma e përgjithshme e kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale ka arritur në 1.85 miliard euro, kreditë për ndërmarrje vazhdojnë të kenë përqindjen më të lartë, pasuar nga kreditë për ekonomitë familjare.