Ndërlidhjet

Kushtëzimi i vazhdimit të dialogut me Beogradin, i domosdoshëm


Ilustrim©Shutterstock
Ilustrim©Shutterstock

Kushtëzimi i vazhdimit të dialogut me Serbinë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura që po proklamon kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nga analistët politikë po shihet si një veprim që fuqizon pozicionin e Prishtinës në tavolinën e bisedimeve që po udhëhiqen nga Bashkimi Evropian.

Sipas analistëve, zbatimi i marrëveshjeve paraprake do të mund të bëhej vetëm mbi bazën e një presioni të Brukselit mbi Beogradin për zhbërjen e strukturave paralele të pushtetit që Serbia ka vendosur në Kosovë.

Analisti politik nga Grupi për Studime Juridike dhe politike, Fisnik Korenica thotë se me këtë pozicion, Prishtina po përpiqet që nga një palë që ka bërë në vazhdimësi koncesione, të kthehet në një palë serioze në tavolinën e bisedimeve.

"Një logjikë e tillë, besoj që do e shtyjë Bashkimin Evropian që tash të merret pak më shumë me Serbinë sesa me Kosovën, meqë deri më sot ka qenë Kosova ajo që i ka bërë shumicën e koncesioneve, kështu që tash e tutje do të duhej që këto koncesione të bëra nga Kosova të kundër balancohen me një veprim të Serbisë për të hequr dorë nga strukturat paralele që ajo vazhdon t'i kontrollojë në veriun e vendit", ka thënë Korenica për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, edhe analisti Artan Muhaxhiri e vlerëson si pozitive qasjen e kryeministrit Isa Mustafa për vendosjen e disa parakushteve për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Në rend të parë, zhbërja e strukturave paralele të sigurisë dhe unifikimi i gjyqësorit në veri më sistemin gjyqësor të Kosovës, do të duhet të ishin kushte të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve, ka thënë Muhaxhiri.

"Qeveria e Kosovës ka shumë pak ndikim konkret në strukturat serbe në Kosovë, mirëpo në shumicën e rasteve ky ndikim është bërë në mënyrë indirekte përmes ndikimit të Brukselit në Beograd. Pra, me kushtëzimin që Brukseli ia bën Beogradit në bazë të sjelljes që ka në raport me strukturat serbe në Kosovë", ka vlerësuar Muhaxhiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Vazhdimi i bisedimeve me Beogradin pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, për analistin Artan Muhaxhiri shihet si i panevojshëm.

Andaj, ai shprehet optimist që Brukseli do të rrisë trysninë mbi Beogradin, pasi që në të kundërtën do të rrezikohej vet procesi i nisur i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dyja vendeve.

"Ekziston një presion i madh mbi Beogradin që të heq dorë nga strukturat paralele, por edhe që t'i relaksojë marrëdhëniet me Kosovën siç ishte rasti i vizitës së Ivica Daçiqit në Prishtinë, javën e kaluar", ka thënë Muhaxhiri.

Pas vizitës së fundit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Mogherini në Prishtinë, analisti Fisnik Korenica mendon se edhe zyrtarja e lartë evropiane e bëri të qartë se aktualisht dialogu do të përqendrohet në zbatim të marrëveshjeve, para se të shkohet në tema të reja.

"Kërkesat e zonjës Mogherini javën e kaluar në Prishtinë, të japin përshtypjen që ajo është sinqerisht e përkushtuar që rezultatet e arritura deri më sot duhet të zbatohen dhe natyrisht që pjesë e dialogut të ri nuk do të jetë vetëm hapja e çështjeve të reja, por fillimisht zbatimi final i çështjeve që janë dakorduar mes të dyja palëve", ka theksuar Korenica.

Kushtet që kryeministri Isa Mustafa i ka përmendur për vazhdimin e dialogut me Serbinë janë zhbërja e strukturave paralele serbe të sigurisë në komunat veriore të Kosovës, apo edhe zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin në veri, ku ende funksionin një sistem paralel i drejtësisë.

Analistët politik tërheqin vërejtjen se Prishtina zyrtare duhet të qëndrojë pas këtyre kushteve, ngase tërheqja, sipas tyre, do të dërgonte mesazhe të një pale jo joserioze në bisedime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG