Ndërlidhjet

AKP ende pa bord – shumë procese po ngecin


Mungesa e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për një kohë të gjatë ka lënë peng shumë vendime të procesit të privatizimit në Kosovë. Kuvendi i Kosovës që sipas ligjit emëron anëtarët e bordit të kësaj agjencie, ende nuk e ka venë në rend të ditës këtë çështje.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se bordi i drejtorëve ka kompetenca të shumta dhe përgjegjësi të përgjithshme për aktivitetet e AKP-së.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, tregon se në mungesë të bordit janë shumë çështje të cilat nuk mund të procedohen.

“Bordi vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, pastaj për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës, e shumë vendime tjera të përcaktuara me Ligj që janë në kompetencë të Bordit”, ka theksuar Kaloshi.

Ngërçi politik gjashtë mujor, që kishe vonuar themelimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të qershorit, ka bërë që në mungesë të legjislativit të shtyhet miratimi i shumë ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme, përfshirë këtu edhe emërimin e drejtorëve të rinj të Bordit të AKP-së.

Kjo çështje nuk është zgjidhur as pas afër katër muajve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar, se gjatë muajit prill do të kompletohet bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Këtë deklaratë, kryeministri Mustafa e kishte bërë gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku kishte pasur kërkesa nga kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari Lila, që të merren më shpejtë vendimet për disa ndërmarrje dhe për ndarjen e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara.

Sidoqoftë, mos kompletimi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sipas ish ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka pasoja të mëdha për ekonominë e Kosovës.

Ai kujton shumë probleme që janë si pasojë e mungesës së këtij bordi.

“AKP-ja është në një situatë delikate. Në mungesë të bordit po ndodhin ngjarje që po kanë pasoja, po dëmtohet pasuria kombëtare, siç është procesi i Hotel Grandit, pastaj punëtorët e shumë ndërmarrjeve shoqërore janë në greva dhe shumë probleme tjera. Është për tu befasuar se si qeveria e re po neglizhon kompletimin e këtij bordi kaq të rëndësishëm për ekonominë e vendit”, thekson Shatri.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, tregon se agjencia i ka njoftuar me kohë institucionet vendimmarrëse për proceset që mbesin peng si pasojë e mungesës së bordit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit shpreson që në një afat më të shpejtë të mundur të bëhen emërimet e drejtorëve të bordit në mënyrë që të kompletohet bordi dhe të ushtrojë mandatin e plotë ligjor”, shton Kaloshi.

Janë bërë më tepër se një dekadë që kur ka filluar raundi i parë i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Nga rreth 520 ndërmarrje shoqërore sa figurojnë të jenë në pronësi shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit, deri më tani ka arritur të privatizojë shumicën prej tyre dhe është në proces të përmbylljes së likuidimit.

Nga këto privatizime, deri më tani janë grumbulluar në fondet e mirëbesimit rreth 600 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG