Ndërlidhjet

Kosova me raste të tuberkulozit, më së shumti në rajon


Në Kosovë, gjatë një viti regjistrohen rreth 1,000 raste me tuberkuloz, bëjnë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Ndryshe, brenda 15 vitesh janë mjekuar 16 mijë raste të tuberkulozit. Kosto e shërimit ka qenë rreth 2.5 milion euro çdo vit.

Në ditën botërore të tuberkulozit që shënohet më 24 mars, thuhet se rreth një e treta e popullatës në botë është e infektuar nga tuberkulozi.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, çdo 10 sekonda, një person vdes në botë nga tuberkulozi dhe një i prekur nga kjo sëmundje mund të infektojë 10 deri në 15 njerëz brenda një viti.

Gazmend Zhuri, pulmolog , përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për projekte të tuberkulozit në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova prinë në rajon me numër të të sëmurëve me tuberkuloz.

"Sa i përket tuberkulozit, Kosova në rajon prinë për nga rastet me këtë sëmundje, me një incidencë prej 46 në 100 mijë banorë me raste të reja të tuberkulozit. Nga viti 2000, kemi pasur një rënie 3.5 për qind në vit. Kemi tendencë që tuberkulozi të ulet si në vendet e Evropës".

"Nga viti 2000 donatorët kanë qenë vazhdimisht në Kosovë duke kontribuar me mjete të konsiderueshme financiare. OBSH gjithmonë ka kontribuar me konsulenca, trajnime, udhërrëfyes", ka shtuar Zhuri.

Xhevat Kurhasani , drejtor i Organizatës joqeveritare KEA, që është partner implemetues i Ministrisë së Shëndetësisë në programin e kontrollit të tuberkulozit, thotë se gjatë vitit 2014 janë regjistruar 834 raste me tuberkuloz.

"Sa i përket situatës së tuberkulozit në Kosovë, situata është stabile, sidomos 5 vitet e fundit. Pas luftës, kanë qenë 1774 persona me tuberkuloz, ndërsa në vitin 2014 janë regjistruar 834 raste me tuberkuloz".

"Trendi ka rënë falë intervenimeve të nevojshme. Epidemia e tuberkulozit është vënë në kontroll, por duhet të bëhen intervenime të mëtutjeshme që këtë numër ta zvogëlojmë edhe më shumë".

Ndërkaq, sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, ka deklaruar se synimi i këtij institutcioni është që të ulin incidencën e sëmundjes së tuberkulozit në Kosovë.

"Sa i përket të sëmurëve me tuberkuloz është situatë shqetësuese, pasi që është vendi i parë në rajon me popullatë të prekur me këtë sëmundje. Andaj, ne si ministri do të aktivizojmë një numër të madh të ekspertëve dhe të mjeteve materiale që të ulim incidencën".

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, sa i përket analizimit të gjendjes shëndetësore, ky institut ka kapacitete ekzistuese që ta monitorojë tuberkulozin, pasi që, sipas tyre, tashmë kjo sëmundje është e njohur dhe ekzistojnë të dhëna për të.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG