Mjekët pediatër kanë ndezur alarmin se po shënojnë rritje deformimet e shtyllës kurrizore te fëmijët e shkollave fillore, si rrjedhojë e kequshqyerjes dhe mungesës së aktiviteteve fizike.
Drejtoresha e Klinikës për fëmijë në Shkup, Aspazija Sofijanova, për Radion Evropa e Lirë thotë se deformimet e shtyllës kurrizore dhe në disa raste “hernia fiskale” dhe “skolioza”, është si rezultat i mbajtjes së çantave të rënda, apo shprehive të dëmshme që marrin fëmijët duke qëndruar të gërmuqur me orë të tëra me celularë në dorë, ose dhe duke luajtur lojëra elektronike në kompjuter.
“Gjithnjë e më shumë kemi fëmijë, te të cilët zhvillohen deformime për shkak të kequshqyerjes, shprehive të ndryshme të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, siç është shikimi i televizorit duke qëndruar shtrirë, si dhe qëndrimi për kohë të gjatë para kompjuterit”, thotë Sofijanova.
Megjithatë, Sofijanova nuk jep shifra konkrete për numrin e fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje, ngase, thekson ajo, statistikat jo gjithnjë paraqesin fotografinë reale, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundjet e ashtuquajtura bashkëkohore.
Ndërkohë, autoritet qeveritare në Maqedoni disa herë kanë theksuar se ndërtimi i më shumë sallave sportive në tërë vendin ka për qëllim ngritjen e vetëdijes, njëherësh dhe nxitjen e grupmoshave më të reja që të merren me sport.
Në funksion të kësaj, nga viti 2006 janë ndërtuar 44 salla shkollore për sport dhe 35 salla sporti, ka thënë gjatë javës së kaluar kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Por, Nuhi Dardhishta, nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, thotë se duhet të pësojë ndryshime Ligji për arsim fillor dhe lënda e Edukatës Fizike që nga klasa e parë deri në të pestën duhet të praktikohet nga mësues të profilizuar dhe jo mësuesit e klasës.
Kjo, sipas Dardhishtës, duhet të bëhet për dy arsye: e para, sepse ata edhe ashtu janë mësues të ngarkuar me lëndët e tjera dhe e dyta - deformimet më të mëdha gjenezën e kanë në këtë moshë, andaj dhe kujdesi duhet të jetë më profesional.
“Po arsimin fizik dhe atë shëndetësor nuk e zhvillojnë arsimtarët përkatës, edhe pse kjo lëndë është e paraparë të mbahet nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Pra, nëse duam t’i kushtojmë më shumë vëmendje shëndetit të fëmijëve, atëherë arsimtari, i diplomuar në lëndën e Edukatës Fizike, të zhvillojë aktivitete të ndryshme gjatë orëve të parapara për këtë lëndë".
"Ai duhet t'iu përkushtohet në formë profesionale ushtrimeve gjimnastikore, dhe jo siç ndodh në të shumtën e rasteve fëmijët aktivizohen në lojëra grupore futboll apo diç tjetër dhe aktivizohen vetëm ata që janë më të aftë dhe jashtë lojës mbeten ata fëmijë, të cilët janë më pak të zhdërvjelltë”, thekson Dardhishta.
Ai, gjithashtu, apostrofon edhe mungesën e mjeteve në shumë shkolla për të aplikuar ushtrimet gjimnastikore që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e drejtë të fëmijëve, sidomos të grupmoshave më të reja.
“Po ka shumë problem me mungesën e mjeteve për ushtrime. Pra, çdo shkollë duhet t’i pajisë sallat me mjetet e nevojshme, në mënyrë që arsimtari i Edukatës Fizike t’i aplikojë gjegjësisht t’i aktivizojë fëmijët në sporte individuale dhe jo të detyrohet t’u japë një top dhe ata të luajnë futboll”, vlerëson Dardhishta.
Lënda e edukatës fizike, sipas Dardhishtës, neglizhohet pa të drejtë, sepse jo të gjithë prindërit kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët në aktivitete plotësuese fizike, ku kujdesi është më i madh, ngaqë ato mbahen nga ana e trajnerëve privatë.
Ndërkohë, doktoresha Aspazija Sofijanova thotë se fatkeqësisht jeta dinamike ka imponuar një mënyrë shumë të dëmshme të të jetuarit. Sipas saj, një pjesë e madhe e fëmijëve pothuajse “kanë harruar të ecin”, aktivitet ky që duhet praktikuar, siç thotë ajo, të paktën një orë në ditë.
“Po prindërit duhet të kenë pak më shumë besim dhe t’i lënë fëmijët e tyre të bëhem më të pavarur, ata duhet të bëjnë përpjekje që fëmijët të mos i shoqërojnë me makinë për në shkollë, pasi e ecura është një pjesë e rëndësishme e regjimit ditor të aktivitetit fizik”, thekson Sofijanova.
Ajo shton se mund të thuhet se nuk ka asnjë diferencë kur bëhet fjalë për presionin që i bëhet shtyllës kurrizore, sikur për një person që punon një orar të plotë me aktivitete fizike, ashtu edhe një fëmijë që kalon më shumë se gjashtë orë, duke luajtur me lojëra elektronike.
Andaj, sipas pediatres Sofijanova, një vëmendje të veçantë prindërit duhet t`i kushtojnë pikërisht qëndrimit korrekt gjatë gjithë aktiviteteve ditore të fëmijëve të tyre.