I parë nga Toka, eklipsi diellor manifestohet me Hënën, e cila kalon në mes të Tokës dhe Diellit, duke e bllokuar plotësisht ose pjesërisht Diellin.
Në Kosovë, edhe pse i pjesshëm dhe zgjati pak më shumë se dy orë, shumë persona, shumica nxënës të shkollave të mesme, kishin dalë nëpër sheshet e Prishtinës ta shikonin eklipsin diellor.
Të entuziazmuar, ata kishin marrë me vete syza, aparate fotografike, madje disa edhe kishin improvizuar mënyrën se si ta shikojnë eklipsin pa i dëmtuar sytë.
Vesa Janova, 17 vjeçare, tregon se që në moshë të re ka pasur dëshirë ta shoh eklipsin.
"Është një ngjarje që ndodh shumë rrallë, është një fenomen interesant, të cilin kam pasur dëshirë ta shoh. Kur kam qenë më e vogël ka ndodhur, dhe nuk kam pasur mundësi ta shoh. Gjithmonë kam pasur qejf ta shoh, pasi më erdhi mundësia sot, dola", tha ajo.
Vesa, eklipsin e ka konsideruar gjithmonë diçka mahnitëse. E informuar për këtë proces, ajo e sheh si fat të keq pozitën gjeografike të Kosovës, sa i përket përqindjes së dukjes së eklipsit.
"Ky është ekuinoksi i pranverës, kur Hëna, Toka dhe Dielli janë në një vijë, një gjë e tillë ndodh shumë rrallë, kur Hëna del para Diellit dhe zgjat deri në dy orë. Fatkeqësisht ne jemi në pozitë më të poshtme, dhe e shohim si të pjerrët, pra vetëm 40% të krejt procesit, ndërsa vendet që ndodhen më afër polit të veriut e shohin në tërësi", tregoi ajo.
Nëntëmbëdhjetë vjeçari Adem Brahimi, dukej i zhgënjyer nga mungesa e një organizimi të mirëfilltë.
"Unë jam fotograf, isha i interesuar ta fotografoj...Organizim nuk po shoh, krejt dolën me kamerat e veta, i mbuluan...improvizim", tha ai.
Një tjetër, rikujton që eklipsi mbetet fenomen natyror, dhe nuk ka asgjë se për çfarë të frikësohet askush.
"Për eklipsin kemi mësuar në shkollë, nuk ka asgjë për t'u frikësuar. Është vetëm dukur natyrore, asgjë më shumë. Është ndjenjë e mirë që po e përjetoj", tha Albert Trashupa.
Fatbardha Muratit, e përgatitur me syza për ta parë prej fillimit deri në fund procesin, i vërehej entuziazmi dhe gëzimi...
"Është ngjarje shumë interesante, ta cilën ka kohë që po e pres, sepse nuk ndodh shpesh. Eklipsi i radhës pritet të jetë më 2020, kështu që unë e shoh si ngjarje madhështore. Jam shumë e lumtur që ëndrra më është bërë realitet", u shpreh ajo.
Në Kosovë, eklipsi i plotë i fundit ka ndodhur më 15 shkurt të vitit 1961. Sivjet, eklipsi i plotë ishte i dukshëm në ishujt Faroe, që ndodhen në mes të Detit Norvegjez dhe veriut të Oqeanit Atlantik.