Ndërlidhjet

Sfida e verifikimit të viktimave të dhunës seksuale


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale

"Kosova mbetet e përkushtuar në garantimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës", është thënë të premten në takimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që drejtohet nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Ofrimi i ndihmës dhe integrimi i tyre në shoqëri, u tha se do të jetë një nga angazhimet kryesore të Këshillit, i cili përfshinë në vete të gjitha komponentet shtetërore dhe ato të shoqërisë civile.

Takimi i sotëm, është mbajtur një vit pas, që kur Kuvendi i Kosovës kishte aprovuar Ligjin për njohjen e statusit ligjor të viktimave të dhunës seksuale si viktima civile të luftës. Presidentja Jahjaga tha se është koha që shoqëria dhe institucionet, ta trajtojnë këtë si krim dhe së bashku të ballafaqohen me pasojat e rënda që ka lënë pas vetës.

"Që prej vitit të kaluar, mund të them me bindjen më të plotë, se së bashku kemi arritur të hapim një kapitull të ri, i cili ka vetëm një drejtim, atë të garantimit dhe ofrimit të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, si viktima civile të luftës".

"Së bashku kemi arritur ta kthejmë çështjen e rehabilitimit, të ri-integrimit dhe risocializimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, në një temë që zë gjithmonë e më shumë vend në politikat qendrore dhe ato lokale, në një temë për të cilën tashmë ne si shoqëri, kemi filluar të flasim më hapur", ka theksuar Jahjaga.

Në vijim, presidentja Jahjaga ka folur për objektivat që ka caktuar Këshilli Kombëtar përmes grupeve punuese. Përgatitja e infrastrukturës ligjore, verifikimi i viktimave dhe më pastaj ri-integrimi i tyre, janë veçuar si angazhime me prioritet.

"Ballafaqimi me këtë pasojë të luftës nuk është i lehtë, por nuk është i pamundur, me vendosmërinë, me mbështetjen dhe gatishmërinë e duhur do të arrijmë që të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre t’ju ofrojmë mundësitë për të ardhme më të sigurtë dhe në paqe, siç kemi filluar tashmë ta bëjmë", ka thënë tutje presidentja e Kosovës.

Një nga sfidat kryesore për adresimin e problemit të viktimave të dhunës seksuale të luftës, mbetet tani verifikimi i tyre. Në këtë aspekt, ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff, tha se qeveria britanike është e gatshme të ofrojë ndihmën e duhur për institucionet e Kosovës.

“Procesi i verifikimit do të jetë prioritet për ne. Ne do të ofrojmë këshillat shtesë në fazën e aplikimit, e që do të jetë një format i udhërrëfyesit. E di që kjo tingëllon mjaft burokratike duke marrë parasysh natyrën e ndjeshme të kësaj teme, por ky është një element thelbësor për këtë çështje”, ka theksuar ambasadori britanik.

Ndërkaq, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX, Gabriele Meucci ka thënë se ky mision ka prioritet adresimin edhe të këtyre krimeve, sado që janë të vështira për t'u zgjidhur për shkak se ka kaluar tashmë një kohë e gjatë nga lufta e vitit 1999.

"Pavarësisht vështirësive në sigurimin e dosjeve për raste të tilla, EULEX-i ka nisur deri më tash 14 raste hetimesh, prej të cilave një është zgjidhur", ka thënë Meuci.

Bazuar në të dhënat që posedojnë organizatat që merren me problematikën e viktimave të dhunës seksuale të luftës, nga lufta e fundit, Kosova ka dalë me një shifër prej mbi 20 mijë femrave të dhunuara, prej tyre edhe të mitura.

Në prononcimet e mëhershme për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues nga Këshilli për rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, kanë thënë se viktimat e kësaj torture, shpesh e fshehin krimin e kryer, për shkak të pasojave që mund të kenë në familje e shoqëri.

Kështu që ky fakt, besohet se do të paraqes probleme për verifikimin e numrit të saktë të personave të dhunuar të luftës në Kosovë që pritet të filloj në të ardhmen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG