Ndërlidhjet

Rritet numri i fëmijëve që punojnë


Qindra fëmijë në Kosovë pretendohet se kryejnë punë të rënda. Shumë prej tyre detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se çdo vit rritet numri i kësaj dukurie, e që më pas evidentohen edhe fëmijët.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se derisa në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013, janë identifikuar 93 fëmijë në rrugë, që kryejnë punë të rënda apo kërkim lëmoshe, në periudhën e njëjtë të vitit 2014, janë evidentuar 224 fëmijë.

"Policia e Kosovës, konform autorizimeve ligjore dhe kapaciteteve që ka, vazhdimisht ndërmerr masa në trajtimin sa më adekuat të rasteve te tilla, sipas ligjeve te aplikueshme dhe duke bashkëpunuar edhe me akterët tjerë relevantë".

Zoti Hoxha ka shtuar se "fëmijët mund të jenë viktima potenciale të krimit dhe trafikimit, dhe parandalimi i këtyre dukurive duhet të jetë prioritet edhe i institucioneve tjera relevante, që merren me trajtimin e kësaj problematike".

Zyrtarë nga Minsitria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, kanë bërë të ditur se Qendra për Punë Sociale bën identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në nevojë.

Selvete Krasniqi, nga kjo ministri, shpjegon...

"Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, harton politika për këtë kategori, derisa Qendra për Punë Sociale bën identifikimin dhe menaxhimin e rasteve".

"Në të gjitha komunat e Kosovës, ekzistojnë qendrat për punë sociale që bëjnë identifikimin e rasteve dhe në bazë të secilit rast, në veçanti japin shërbime. Varësisht prej rastit, jipet asistencë sociale; për fëmijët që nuk shkojnë në shkollë, kujdesemi për rikthim e tyre; fëmijët që kanë nevojë për trajtim mjekësor, referohen në Qendra të Mjekësisë Familjare", ka theksuar zonja Krasniqi.

Ndërkaq, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, (KOMF), thotë se në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë punojnë punë të rënda.

"Për fëmijët e përshirë në punë të rënda në nivel të Kosovës, nuk ka statistikë zyrtare të publikuar. Statistikat që jepen në fund të vitit, janë nga organizata joqeveritare, por që nuk përfshijnë të gjithë fëmijët që kryejnë punë të rënda, derisa më së shumti identifikohen fëmijët që dalin në rrugë për kërkim lëmoshe", ka shtuar Kelmendi.

Zoti Hoxha, thekson se ka vështirësi për largimin e fëmijëve nga rruga.

"Gjatë viteve të fundit, nga ana e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me institucione tjera, janë ndërmarrë një varg aktivitetesh për largimin e lëmoshë-kërkuesve nga rruga dhe janë organizuar fushata të ndryshme në dekurajimin e qytetarëve, që të mos u japin të holla personave të tillë, megjithatë kjo dukuri ende po vazhdon të jetë si diçka e zakontë".

Zonja Kelmendi, shton se në Kosovë nuk ka buxhet të mjaftueshëm të ndarë për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje institucionale.

"Një ndër pikat kritike që ne e kemi ngritur, ka qenë mungesa e buxhetit në komuna për mbrojtjen e fëmijëve në përgjithësi, por që do të përfitonin edhe fëmijët e përfshirë në punë të rënda. Gjithashtu kemi edhe mungesë të resurseve njerëzore, në mënyrë që të përballojnë ofrimin e shërbimeve për fëmijët e përfshirë në punë të rënda".

"Gjendja në Kosovë e fëmijëve nuk është e mirë. Kjo çështje kërkon mbrojtje të menjëhershme".

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve që merren me të drejtat e fëmijëve, një pjesë e madhe e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë janë nga vendet e rajonit, kryesisht nga Shqipëria.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG