Ndërlidhjet

Çfarë nëse ik Vladimir Putini?


 Vladimir Putin
Vladimir Putin

Për një dekadë e gjysmë, Vladimir Putin ka qëndruar në krye të një sistemi politik që nuk ka lejuar konkurrencë.

Sondazhet e opinionit në Rusi kanë treguar vazhdimisht se publiku nuk sheh “asnjë alternativë” për udhëheqjen e Putinit.

Por, çfarë do të ndodhte në Rusi nëse Putin, papritmas dhe pa paralajmërim, lë skenën politike?

Gjatë disa ditëve të fundit, kemi parë ankthin që edhe një thashetheme e tillë prodhon në Rusi dhe botë. Nëse Putin është garantues i stabilitetit në Rusi, a do të thotë se një skenar pa të do të prodhonte automatikisht jostabilitet, madje jostabilitet të dhunshëm?!

Formalisht, Rusia ka një kushtetutë dhe një proces për trajtimin e paaftësisë së presidentit.

Neni 92 i Kushtetutës së Rusisë thotë se nëse presidenti nuk është në gjendje të përmbushë detyrat e tij në zyrë – edhe pse procesi për shpalljen e tij të paaftë është i paqartë – kryeministri bëhet president në detyrë dhe zgjedhjet e reja presidenciale do të mbahen brenda tre muajsh.

Presidenti në detyrë nuk ka kompetencë për të shpërndarë Dumën, për të planifikuar referendum apo për të ndryshuar Kushtetutën.

Sipas ligjit të zgjedhjeve në Rusi, çdo parti e përfaqësuar në Dumën Shtetërore – Rusia e Bashkuar, Partia Komuniste, Partia Liberal-Demokrate e Rusisë dhe Vetëm Rusia – kanë të drejtë të emërojnë kandidatët e tyre. Partitë e tjera duhet të mbledhin 100,000 nënshkrimet e kërkuara për kandidatët e tyre dhe ata duhet të miratohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Pra, nëse Putini lë papritur skenën dhe ndiqet kushtetuta, kryeministri Dmitry Medvedev do të kthehej në Kremlin dhe zgjedhjet konkurruese do të zhvilloheshin brenda tre muajsh.

Natyrisht se një tranzicion i tillë, i qetë dhe ligjor, i pushtetit në Rusi nuk ka gjasa.

Në kohët sovjetike, prapa skenave janë zhvilluar “mundje” të mëdha politike derisa ka dalë një pasardhës i suksesshëm.

Pak më vonë, kur presidenti Boris Yeltsin ka vendosur të pensionohet, politikanët e brendshëm kanë arritur konsensus dhe kanë prodhuar kandidaturën e paimagjinueshme të Vladimir Putinit si pasardhës të tij. Në atë kohë, ata kanë përdorur kombinimin e burimeve të tyre financiare, administrative dhe mediatike për ta zgjedhur atë.

Por, çfarë nëse tani nuk mund të arrihet konsensus?

Nën sundimin e Putinit, sistemi politik është bërë më i personalizuar dhe centralizuar përreth vetë presidentit, i cili ka balancuar palët në konflikt. Ai ka ndrydhur pothuajse të gjitha diskutimet për atë se çfarë duhet të ndodhë në epokën e pas-Putinit.

Por, ndarjet në rrethin e brendshëm të Putinit, gjithmonë të fshehura, janë bërë më të dukshme me krizën në Ukrainë dhe janë intensifikuar që nga vrasja e udhëheqësit opozitar, Boris Nemtsov, më 27 shkurt.

“Tani, konflikti midis klaneve është bërë shumë intensiv. Është e dukshme që grupe të ndryshme kërkojnë rrugë të ndryshme”, thotë gazetari dhe analisti rus, Raf Shakirov.

Edhe analisti politik, Marat Guelman, sheh konfliktin si skenar të mundshëm.

“Flas për njerëz që kanë shijuar mungesën e ligjit, të cilët mendojnë se kanë të drejtë të thyejnë ligjin, të vrasin e kështu me radhë. Mendoj se ka krizë në menaxhimin e pushtetit nga pikëpamja e oligarkëve. Jam i habitur se si kanë qenë besnikë për kaq kohë të gjatë. Duket se kufijtë e besnikërisë tashmë janë arritur”, thotë Guelman, duke iu referuar politikanëve të linjës së ashpër të Kremlinit.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG