Ndërlidhjet

Lista Serbe, bojkotuese dhe bllokuese e institucioneve


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Lista Serbe vazhdon të mbajë të ngrirë përfaqësimin e saj në institucionet qendrore të Kosovës, që nga tre shkurti, kur kryeministri Isa Mustafa kishte shkarkuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Që atëherë, kjo Listë nuk është kthyer në Qeveri e Kuvend, por as nuk ka parashtruar ndonjë kërkesë konkrete. Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të kësaj Liste, vendimi në fund do të merret në koordinim me Qeverinë e Serbisë, por deri më tash, ky vendim nuk është marrë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se liderët shqiptarë të Kosovës nuk mund të vendosin se kush do t'i përfaqësojë serbët e Kosovës në institucione.

Sipas tij, Lista Serbe nuk do të kthehet në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, përderisa marrëveshja e arritur për përfshirjen e saj në institucione të mos respektohet nga ana e lidershipit të Kosovës.

"Ne nuk kemi hyrë në institucionet e Kosovës që të shihemi si folklor apo dekor i dikujt për arritjen e qëllimeve politike. Qeveria e Serbisë ka mbështetur përfaqësuesit serbë që të hyjnë në institucionet e Kosovës si faktor për mbrojtjen e interesave të serbëve", ka thënë Gjuriq.

Në anën tjetër, i shkarkuari nga posti ministror, Aleksandar Jabllanoviq, pranon se në rrethanat e krijuara, ai më nuk pretendon të kthehet aty ku ishte, në Qeverinë e Kosovës. Por, ai e paralajmëron Qeverinë në Prishtinë se Lista Serbe, sipas tij, tash e tutje mund të jetë edhe më unike dhe më e vendosur për arritjen e qëllimeve politike.

"Kthimi im në institucionet e Qeverisë së përkohshme në Prishtinë nuk do të ishte në dobi as të qytetarëve që përfaqësojmë atje e as në interesin e Listës Serbe", ka thënë Jabllanoviq.

Aktivitetin e tij politik, ai e sheh si lider i Listës Serbe duke koordinuar veprimet me Beogradin në lidhje me përfaqësimin e serbëve në institucione.

Refuzimi i Listës Serbe për t'u kthyer në institucione, sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa nuk është përcjellë deri më tani me ndonjë kusht apo rrethanë mbi të cilën ata do të ktheheshin. Por, edhe nëse paraqiten kushte, Mustafa ka deklaruar se nuk do t'i pranonte ato.

“Nuk e kemi asnjë kusht të paraqitur për kthim. Unë kam kërkuar nga ministrat e Listës të diskutojmë, nuk kanë ardhur akoma, kushte nuk kemi dhe kushte nuk pranoj sepse edhe ata do të kenë kushte të njëjta si ministrat tjerë. Nuk do të aplikojmë kushte të tjera për komunitete, e tjera për ministra të tjerë”, ka thënë Mustafa.

Por, mungesa e Listës Serbe në institucione, përveç boshllëkut që lë në përfaqësimin e komunitetit serb, ka edhe pasoja tjera për funksionimin dhe vendimmarrjen nga institucionet qendrore.

Inicimi i ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe amendamentimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, shihen si vendime të pamundura pa këtë subjekt politik.

Ndryshimet Kushtetuese në Kosovë mund të bëhen vetëm nëse mbështeten nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit dhe nga dy të tretat e deputetëve pakicë. Nga dhjetë deputetët serbë, nëntë prej tyre janë nga Lista Serbe, kurse dhjetë deputetë u takojnë komuniteteve tjera.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se mendon që tërheqja e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës mund të jetë një veprim i qëllimshëm politik i dirigjuar nga Beogradi.

"Nëse Lista Serbe nuk bëhet pjesë e Kuvendit në momentin kur votohet për këto amendamente kushtetuese, kalimi i tyre në Kuvend bëhet i pamundur. Si pasojë e mospjesëmarrjes së Listës Serbe në këtë proces të ndryshimeve kushtetuese, Kosova në njëfarë forme, mund të dënohet politikisht nga partnerët e saj ndërkombëtarë, për faktin që nuk do të jetë e mundur t'i adresojë detyrimet që ka marrë për themelimin e Gjykatës Speciale", ka vlerësuar Korenica.

Nisur nga fakti që mungesa e Listës Serbe mund të pengojë marrjen e vendimeve të rëndësishme për Kosovën, edhe Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit, u ka bërë thirrje krerëve të institucioneve që të vendosin dialog politik me këtë subjekt.

Driton Selmanaj nga ky Institut ka rikujtuar se ndryshimet kushtetuese të parapara nuk mund të realizohen pa pjesëmarrjen e serbëve në Kuvend.

"Kërkojmë nga partnerët e koalicionit që të bëjnë çmos ose që të zhvillojnë debat me këtë partner të tyre që ata të kthehen në Kuvend, në mënyrë që më pas të mos kemi situata kur në ditët në vijim mund të kemi edhe bllokim të miratimit të ndonjë akti shumë të rëndësishëm për vendin, për të cilin kërkohet edhe shumica e dyfishtë ose shumica e Badinterit siç njihet në zhargonin dhe praktikën juridike", ka theksuar Selmanaj.

Në anën tjetër, për Fisnik Korenicën, me këso veprime, Lista Serbe po provon që të sfidojë institucionet e Kosovës, ngjashëm me të drejtën e vetos, duke krijuar situata që pa praninë e saj nuk mund të merren vendime të rëndësishme.

"Prezenca apo jo e Listës Serbe nuk mund të shndërrohet në një precedent, mbi të cilin do të duhej të varej e tërë Qeveria e Kosovës, sepse në një formë të tillë Lista Serbe do të fitonte njëfarë vetoje në tërë sistemin tonë politik gjë që do të ishte shkatërruese për mënyrën e ndërtimit të koalicioneve në qeverisjen e vendit", ka deklaruar Korenica.

Pjesëmarrja e komuniteteve në punën e institucioneve, ndikon në shumë aspekte, që nga funksionimi i agjencive e bordeve shtetërore e deri te çështjet e mëdha siç është aktualisht themelimi i Gjykatës Speciale.

Nisur nga ky fakt, Fisnik Korenica vë dyshimet se Beogradi është ai që po e pengon pjesëmarrjen e Listës Serbe në institucione për arritjen e qëllimeve tjera që kanë të bëjnë me dëmtimin e funksionimit të shtetit të Kosovës.

"Kjo tërheqje e deputetëve serbë mund të jetë bërë qëllimisht nga ana e Beogradit, në mënyrë që Kosova të mos mund t'i procedojë amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale".

"Si rezultat i kësaj, Beogradi të lobojë ndërkombëtarisht që për Kosovën, Këshilli i Sigurimit të bëjë një gjykatë ndërkombëtare, e që do të ishte njëfarë lloj sakatosje e shtetësisë sonë dhe imazhit tonë ndërkombëtar, por edhe një precedent shumë i rrezikshëm si për procesin e njohjes, atë të anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë si dhe kontestimit të njohjes së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit", ka thënë Korenica.

Sidoqoftë, autoritetet në Beograd kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të ftohen sërish në takim përfaqësuesit e Listës Serbe, si nga niveli qendror, ashtu edhe nga ai lokal.

Në atë takim është paralajmëruar se mund të merret vendimi se si të veprohet tutje. Po ashtu, nga ai takim pritet që Beogradi të kërkojë hapa më të shpejtë nga Prishtina rreth formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, organ ky që ka dalë si rezultat i Marrëveshjes politike në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG