Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë hyrë shumë barna, material shpenzues, aparatura dhe pajisje mjekësore, në formë donacionesh.
Kjo ka arritur vlerën e disa miliona eurosh, për vitin 2014, thonë zyrtarë në Qendrën Klinike Universitare si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.
Rina Limani, mjeke në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ndihmat në formë donacionesh kanë qenë të mirëseardhura.
"Gjatë vitit të kaluar, kanë qenë 1 milion e 800 mijë euro që kanë qenë të dedikuara për klinika të ndryshme, për pajisje e barna. Shifra e ndihmës me barna ka qenë 1 milion euro, ndërsa të tjerat kanë ardhur si pajisje, kryesisht për klinikën gjinekologjike obstetrike, donacione të konsiderueshme për kujdesin neonatal", ka shtuar Limani.
Edhe gjatë muajit janar të këtij viti, në këtë institucion ka pasur donacione me barna, me vlerë prej 700 mijë eurosh.
"Edhe gjatë këtij viti vetëm në janar kanë qenë 700 mijë euro si donacion me barna, që kanë ndihmuar barnatoren qendrore, duke e marrë parasysh që ka pasur shumë mungesë të barnave".
Sidoqoftë, prej pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka pasur shumë donacione dhe ato nuk janë regjistruar askund.
Zyrtarët shëndetësorë, thonë se me kohë është zbehur edhe interesimi për të dhuruar donacione, qofshin ato individuale, apo edhe nga organizata të caktuara.
Por, Qendra Klinike Universitare në vitin 2013 ka formuar komisionin brenda këtij institucioni, i cili tashmë monitoron dhe regjistron donacionet.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se vlera e investimeve që bëhet në shëndetësi në të gjitha fushat, mund të sillet deri në 20 milion euro.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri, jep hollësi të tjera.
"Vlera prej 20 milion eurosh që përkrahet brenda vitit, nuk është gjithmonë një vlerë e drejtpërdrejtë monetare, por nëse kalkulohet vlera e ekspertizës profesionale, ngritjes së kapaciteteve, trajnimeve dhe kur kësaj i shtohen edhe investimet, sistemi shëndetësor përkrahet me këto vlera".
Zoti Hoti, gjithashtu ka shtuar se janë duke u zhvilluar edhe disa projekte të rëndësishme që do ta ndihmojnë reformën shëndetësore.