Ndërlidhjet

Punëtorët shëndetësorë kërkojnë Kontratën Kolektive


Kontrata Kolektive në Kosovë, marrëveshja mbi të cilën është arritur në bazë të Ligjit të Punës, ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat.

Por ndonëse e nënshkruar nga Qeveria, vitin e kaluar, kjo kontratë nuk po gjen zbatim. Si rrjedhojë, punëtorët shëndetësorë disa herë kanë mbajtur greva në të gjitha institucionet shëndetësore.

Ata po vazhdojnë të kërkojnë implementimin e LKontratës Kolektive sektoriale, përfshirë këtu rritjen e pagave sipas premtimeve publike elektorale, funksionalizmin e Odave të Mjekëve dhe mbrojtjen e profesionistëve shëndetësorë nga shantazhi i formave të ndryshme nga nivelet e ndryshme të pushtetit, si dhe autonominë territoriale të institucioneve publike.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkesat e tyre janë legjitime, andaj siç tha ai, do të qëndrojnë prapa kërkesave që kanë deri në realizmin e tyre.

"Qeveria po i shton problemet vetë. Protesta e radhës është në kompetencën e këshillit grevist pranë federatës së shëndetësisë.Qeveria ka 10 ditë kohë që të reflektojë në këto pika që ne i kemi parashtruar".

"Nëse jo [nuk reflekton] atëherë këshilli do të marrë vendime që do të dëshiroja të mos jenë në dëm të popullatës, por kishte me qenë mirë që të merren seriozisht kërkesat tona. Unë po apeloj te kryeprokurori që të merret me këtë situatë pasi që profesionistët shëndetësorë nuk do të mund të vazhdojnë kështu", thotë Syla.

Për mos zbatimin e Kontratës Kolektive dhe grevën e punëtorëve shëndetësorë flet edhe drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani.

"Shërbimet emergjente si çdo herë i përkrahin kërkesat që shkojnë në favor të punëtorëve shëndetësorë. Por unë mendoj se duhet të gjenden mjetet, dhe lehtë është të implementohet kjo kontratë".

"Për shërbimin emergjent, janë benificionet epërcaktuara me ligj, por mendoj se zbatimi i kontratës kolektive do të përmirësojë mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë që të kthehet dinjiteti i tyre për punë", shprehet Lenjani.

Edhe Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë, ka bërë të ditur se kanë pasur takime me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

"Ne kemi pasur takime të vazhdueshme me zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë në kuadër të dialogut social, por ministri është në amulli karshi kërkesave tona dhe njëherë është në heshtje të plotë", bën të ditur ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk e dinë se sa do të kushtojë implementimi i Kontratës Kolektive, thotë këshilltari i ministrit të shëndetësisë, Izet Sadiku.

"Ne tashmë kemi bërë grupet punuese. Deri tani me udhëheqës të sindikatave kemi pasur dy takime. Ne jemi duke nxjerr specifikime që i përkasin sektorit të shëndetësisë, dhe kemi përgatitur një kontratë të re, që janë nxjerr prej ligjit të punës".

"Konsideroj që kjo punë do të vazhdojë dhe do të përmbushen kërkesat e sindikatës, por edhe do të nënshkruhet kontrata, pas premtimeve që i ka pasur Ministria e Shëndetësisë për nënshkrimin e kësaj kontrate kolektive nga ana e Qeverisë së Kosovës", shprehet Sadiku.

Ndër të tjera, Kontrata Kolektive përmban shujtën, shpenzimet e udhëtimit dhe pagën jubilare çdo 10 vjet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG