Industria bankare në Kosovë, karakterizohet nga veprimtaria e degëve të bankave të huaja dhe shumë pak banka vendore.
Nga 10 banka që operojnë në Kosovë, vetëm dy janë me kapital vendor, kurse të tjerat janë banka ndërkombëtare, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillojnë në vende të ndryshme të Ballkanit.
Njohës të çështjeve financiare në vend, thonë se në Kosovë mungon kapitali financiar, por megjithatë ka afaristë të interesuar që të merren më këtë veprimtari.
Nazmi Mustafa, rektor në Kolegjin e Menaxhmentit Internacional “Globus", thekson se kapitali financiar në Kosovë është i lidhur ngushtë më zhvillimin ekonomik, zhvillim ky që aktualisht nuk lejon rritje të kapitalit vendor.
Arsye tjetër që nuk i tërheq personat privat dhe juridik që të blejnë aksione dhe të rrisin kapitalin vendor është diferenca e fitimit.
Mustafa, megjithatë thotë se politikat e reja zhvillimore duhet të jenë atraktive edhe për zhvillim, por edhe për deponim të kapitalit në sektorë të cilët rrisin investimet në ekonomi.
“Unë mendoj se do të ishte një kualitet i ri, në çoftë se do të fillonte që të rritej kapitali i aksionarëve vendor, sepse angazhimi i bankave pastaj në proceset zhvillimore, sidomos në sferën e prodhimit, do të ishte shumë më stabil".
"Do të kishte një qëndrueshmëri shumë të madhe në mes kapitalit në bankë, si aksione dhe plasimit të këtij kapitali në prioritete e zhvillimit ekonomik”, tha Mustafa.
Por, Milazim Abazi, njohës i çështjeve financiare, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se ka afaristë të interesuar për licencim të bankave të reja në Kosovë. Por, kjo sipas tij, po pengohet nga, siç thotë, monopoli ekzistues në formë të pashkruar, konkretisht për aplikuesit për licenca vendore.
“Unë them se ka mjaft afaristë kosovarë që janë shumë të rregullt, shumë të ndërgjegjshëm i plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë aksionarë të dinjitetshëm të një banke vendore. Licencimi i një banke apo më shumë bankave tjera vendore në Kosovë, do të ndikonte shumë në relaksimin e tregut bankar dhe në uljen e interesave kaq të larta që mbajnë bankat më kapital ndërkombëtar”, tha Abazi.
Ndryshe, Abazi konsideron se me marrjen e hapjen bankave komerciale në vend, do të mundësohet edhe ulja e kamatave për kredi që aktualisht, sipas tij, janë shumë të larta.
“Bankat po ndihen shumë komode pasi tri bankat kryesore përfaqësojnë 70 për qind të tregut bankar të Kosovës dhe bankat tjera nuk mund asgjë të ndikojnë në konkurrencë. Kështu që, patjetër duhet të licencohen “lojtarë” të rinj në treg që do të ishin shumë më aktiv dhe do të prishin këtë rehati dhe komoditet të mbajtjes se interesave të larta në treg”, thekson Abazi.
Në tregun bankar të Kosovës, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes operojnë më kapital vendor, kurse tetë të tjera ose 90.4 për qind e kapitalit është në pronësi të huaj.
Ndërkaq, në një përgjigje përmes postës elektronike zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kanë thënë se për momentin nuk ka asnjë aplikacion në Departamentin e Licencimit dhe të Rregullimit, për aplikim për licencim të Bankës nga investitor apo afaristë vendor.
Në bazë të ligjeve ekzistuese, asnjë person nuk mund të merret me veprimtari të një banke apo institucioni financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, pasi kjo e fundit është përgjegjëse ekskluzive për dhënien e licencave për të gjitha bankat, qoftë vendore apo ndërkombëtare.