Ndërlidhjet

Ligji që ndalon pjesëmarrjen në konflikte të huaja, gati për aprovim


Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, i cilësuar si një nga ligjet me prioritet për këtë vit, tashmë është i gatshëm t'i procedohet Kuvendit të Kosovës për miratimin përfundimtar.

Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka draftuar nenet që kanë dalë si rezultat i leximit të parë në Kuvendin e Kosovës.

Vetëm subjekti opozitar, Vetëvendosje, nuk e ka mbështetur atë. Mungesa e votës së Vetëvendosjes, sipas deputetit të saj, Rexhep Selimi, nuk ndërlidhet me kundërshtimin e Ligjit në fjalë, por me emrin dhe disa nene, që sipas tij, nuk janë të saktësuara sa duhet.

Deputeti Rexhep Selimi, ka kërkuar që Ligji ta përcaktojë se kujt i adresohet dhe çka sanksionon. Nëse ka si qëllim ndalimin e pjesëmarrjes në luftën e Sirisë apo në Irak, kjo duhet të thuhet në ligj, ka vijuar Selimi.

"Ne besojmë që ky projektligj qëllimin e ka për parandalimin e qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e ndryshme, saktësisht në Siri në organizatat terroriste siç janë ISIS, apo Al Kaida apo të ngjashme. Andaj ne kemi dashur që ta përcaktojmë me ligj një gjë të tillë dhe ta theksojmë qëllimin e këtij projektligji", ka thënë Selimi.

Sipas zotit Selimi, Qeveria e Kosovës duhet t'i shpallë emrat e organizatave të cilësuara si terroriste, në mënyrë që më pas, me ligj të dihet se në cilat aktivitete dhe organizata qytetarët e Kosovës e kanë të ndaluar të bashkohen. Për këtë qëllim ai ka propozuar edhe një nen të veçantë.

"Pika një, Qeveria e Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin Penal, aktet ndërkombëtare dhe dokumentet e organizatave ndërkombëtare, duhet të hartoj dhe të shpallë listën e organizatave dhe grupimeve me aktivitet terrorist brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës", ka theksuar Selimi.

Nenet e propozuara nga Vetëvendosje, nuk janë pranuar nga deputetët e partive tjera parlamentare.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Fadil Demaku, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të publikojë lista me emra të organizatave terroriste, ngase me një veprim të tillë do t'i tejkalonte kompetencat që i ka. Po ashtu, me një nen të tillë, sipas Demakut, Ligji aktual do ta humbte kuptimin.

"Problemi i të emërtuarit të organizatave terroriste, apo problemi që ka të bëjë direkt me terrorizmin është çështje që i tejkalon kufijtë e vendit tonë. Rreth asaj se cilat organizata mund të emërtohen si terroriste, e të cilat i njeh bota, ka edhe ndryshime nga vendi në vend, ku një organizatë mund të quhet terroriste apo mund të mos quhet kështu", ka deklaruar Demaku.

Projektligji në parim është miratuar më 23 janar të këtij viti dhe tani pritet të kalojë edhe procedurën përfundimtare të miratimit në një nga seancat e radhës. Dispozitat e këtij projektligji parashohin dënime prej 5 deri në 15 vjet burg.

Nxjerrja e një ligji të tillë është parë si domosdoshmëri, pas shtimit të numrit të qytetarëve të Kosovës që merrnin pjesë në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se ka rreth 300 persona që janë përfshirë deri më tani në luftë, si në Siri apo edhe në Irak.

"Numri i qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar sillet diku rreth 300. Ndërkohë, që nga viti i kaluar organet e rendit kanë arrestuar mbi 150 persona, qoftë luftëtarë në vende të huaja, nxitës apo rekrutues të luftëtarëve për luftërat e huaja", ka thënë Hyseni.

Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar është një problem global. Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar luftimin e këtyre dukurive me prioritet të veçantë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në disa raste ka deklaruar se Kosova nuk do të bëhet çerdhe dhe as strehë e terrorizmit, kurse ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka deklaruar të martën në Tiranë se Kosova është lidere në rajon sa i përket luftimit të ekstremizmit fetar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG