Ndërlidhjet

Ligji për sigurime shëndetësore, më 2018?


Zyrtarë të lartë institucional, kanë deklaruar se në vitin 2015, ligji për sigurimet shëndetësore në Kosovë do të fillojë së implementuari.

Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, por ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, meqë nuk ishte nënshkruar atëbotë nga shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndryshe, Ligji për Sigurimet Shëndetësore ka për synim të krijojë parakushtet për qasjen e barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Shaip Muja, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ligji për sigurime shëndetësore nuk do të mund të implementohet deri në vitin 2018.

‘’Oferta e cila është ngritur për sigurime shëndetësore, e kam thënë disa herë në parlament, është një spekulim i rradhës i cili i bëhet popullatës. Janë pritje të mëdha për sigurime shëndetësore dhe koncepti i sigurimeve shëndetësore ka devijuar komplet".

"Deri në vitin 2018, sipas projektimeve, nuk ka sigurime shëndetësore. Ndërkaq të gjithë udhëheqësit po mundohen të improvizojnë se do të ketë sigurime shëndetësore nga ky vit. Ka tre vite që e implementojnë ligjin për sigurime shëndetësore dhe ende nuk po ndodhë një gjë e tillë.’’

Arsim Çavdarbasha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë, në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se këtë vit do të fillojë mbledhja e premiumeve për fondin e sigurimeve shëndetësore.

"Jemi duke i bërë të gjitha përpjekjet për ndërtimin e parakushteve të domosdoshme, për fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe gjatë pjesës së dytë të këtij viti, mbledhja e premiumeve do të fillojë dhe shfrytëzimi i atyre mjeteve për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore".

"Janë disa parakushte teknike pak më specifike, të lidhura me fondin e sigurimeve shëndetësore që kërkojnë kujdes të shtuar, por unë shpresoj fuqimisht që gjatë pjesës së dytë të këtij viti do të fillojmë të paktën me mbledhjen e premiumeve".

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ende nuk janë rregulluar disa çështje që do të mund ta funksionalizonin ligjin për sigurime shëndetësore, ndonëse thuhet se këtë vit do të fillojë së implementuari ky ligj.

"Duhet të jetë e qartë për publikun, ndonëse nuk ka edhe mekanizma përcjellës, atëherë ky ligj është më mirë të mos futet në funksion. Por, duke e parë situatën aktuale dhe kohën pas ngërçit politik, atëherë unë jam mjaft skeptik se ky ligj do të fillojë implementimin në prill, siç kanë thënë".

"Unë do përmendi tri elemente kryesore: nuk është e definuar mirë mjekësia primare, sekondare dhe terciare, pastaj nuk e kemi të definuar sistemin informativ shëndetësor dhe nuk kemi mekanizëm mbrojtës të këtyre mjeteve që do të mbledhen nga taksapaguesit në emër të fondit te sigurimeve shëndetësore".

Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës janë të obliguar të paguajnë në fondin e sigurimeve shëndetësore kontributin e tyre, ndonëse ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë obligim e ka paraparë ta marrë Qeveria e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG