Ndërlidhjet

Veteranët amerikanë luftojnë Shtetin Islamik


Brett, 28 vjeçar, pjesëtar i milicisë asiriane...
Brett, 28 vjeçar, pjesëtar i milicisë asiriane...

“Jam këtu për të vrarë Daeshin”, thotë Louis Park, një veteran i marinës amerikane, duke iu referuar shprehjes arabe për grupin militant të Shtetit Islamik.

Ai është vetëm një anëtar i një grupi në rritje të luftëtarëve të huaj, të cilët kanë zbarkuar në Irakun verior, për t’iu bashkuar milicisë asiriane të krishterë që po lufton kundër Shtetit Islamik.

Park dhe një veteran tjetër amerikan, Brett Royales, kanë dhënë intervistë për shërbimin irakian të Radios Evropa e Lirë, duke shpjeguar përvojat e tyre në qytetin Batnaya të luginës Nineveh.

Park thotë se ka shërbyer katër vjet në kuadër të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 2012 ka shërbyer edhe në Afganistan. Ai është i bindur se duke e luftuar Shtetin Islamik në Irak, ai po mbron Shtetet e Bashkuara.

"E di se nëse Shteti Islamik lejohet këtu, atëherë dhuna pa dyshim që do të shpërthejë edhe në Shtetet e Bashkuara, prandaj jam duke mbrojtur atdheun tim”, thotë Park, i cili mohon se është duke u paguar për këtë punë.

Për ushqimin, veshmbathjen dhe armatimin e tij kujdeset milicia e krishterë, kurse për shpenzimet tjera, thotë se shfrytëzon kursimet vetanake. Ai kryesisht është i përfshirë në trajnimin e pjesëtarëve të milicisë dhe sipas tij, në rajonin e Kurdistanit të Irakut verior, gjenden diku rreth 30 pjesëtarë amerikanë që luftojnë militantët e Shtetit Islamik.

Brett Royales, ish pjesëtar i ushtrisë amerikane, thotë se ka marrë vendim t’i bashkohet këtij grupi pasi ka parë krimet e bëra nga militantët e Shtetit Islamik.

“Nuk mund të rri në shtëpi dhe të jem vëzhgues – krimet, kryqëzimet, dhunimet, skllevër seksi, njerëz të përndjekur nga shtëpitë e tyre. Për mua është e papranueshme, prandaj edhe jam këtu, të ndihmoj njerëzit që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të mbrojnë mënyrën e tyre të jetesës”, thotë Royales për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shërbyer në Irak derisa ishte pjesëtar aktiv i forcave amerikane dhe këtë përvojë e cilëson si një vlerë të çmueshme në detyrën e tij të re.

Royales gjithashtu mohon se është duke u shpërblyer financiarisht për punën që bën.

“Po të doja të luftoj për para, do t’i bashkohesha grupit të mercenarëve, por këtu jam me detyrën të mbroj njerëzit që duan të kthehen në shtëpitë e tyre”, thotë ky veteran amerikan.

Pjesa më e madhe e popullatës asiriane në irak – rreth 200,000 gjithsejt – janë zhvendosur korrikun e kaluar kur militantët e Shtetit Islamik depërtuan në Luginën Nineveh.

Deri tash janë tri qytete në këtë Luginë, që nuk janë në kontrollin e Shtetit Islamik. Ato janë të banuara me popullatë asiriane dhe ruhen nga milicia e krishterë. (a.v)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG