Kufiri duhet të shërbejë si pikë bashkimi dhe jo ndarjeje mes dyja vendeve, kanë deklaruar të hënën kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Isa Mustafa dhe Edi Rama.
Këto komente ata i kanë bërë gjatë përurimit të tranzitit të pёrbashkёt në pikën doganore në Vërmicë.
Ky korridor i përbashkët, u ka tha se ka për qëllim të shkurtojë procedurat e zhdoganimit dhe uljen e kostos nga të cilat do të fitojnë bizneset dhe qytetarët.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar këtë marrëveshje shumë të rëndësishme për të dy vendet. Ai ka paralajmëruar edhe bashkëpunime tjera ndërmjet dy qeverive në të ardhmen.
"Jemi të interesuar që këtë fushë të doganave ta përmirësojmë në mënyrë që të përfitojnë qytetarët në rend të parë dhe në mënyrë që bizneset në të dyja anët të kenë favore që u takojnë atyre, por që këto favore të shkojnë edhe tek qytetari i fundit në konsumimin e të mirave të cilat ne do t'i realizojmë si rezultat i këmbimeve të përbashkëta", ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se marrëveshje njëson dy anët e kufirit dhe zhduk burokracitë që shkaktojnë vonesa në dogana.
Sipas tij, dy anët e kufirit kanë nevojë për këtë pikë shërbimi, jo për tu vonuar po për ta pasur një pikë kalimi pa vonesa dhe kurrfarë pengese.
"Me që kufijtë janë pika bashkimi dhe jo vija ndarjeje, hapësira mundësish dhe jo mundësi për pengesa të shtuara, kjo ka qenë bindja jonë që kur u angazhuam në një bashkë-udhëtim përtej kufijve, bashkimin kombëtar dhe evropian me Kosovën", ka deklaruar Rama.
Nga e hëna, është vendosur që porti i Durrësit të jetë pika e vetme e kontrollit doganor për mallrat që hyjnë në Kosovë, pa pasur nevojë për procedura tjera në kufi.
Po ashtu, kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë janë zotuar edhe për ndërtimin e një objekti të ri të përbashkët doganor në kufirin Morinë - Vërmicë.
Tashmë është bërë e zakonshme që në prag të përvjetorëve të pavarësisë së Shqipërisë apo në këtë rast të pavarësisë së Kosovës, qeveritë e të dyja vendeve të përurojnë ndonjë projekt të përbashkët.
Pas përmbylljes së projektit disa vjeçar të rrugës së kombit që lidh të dyja vendet, me korridorin e përbashkët doganor u tha se shkurtohen ndjeshëm procedurat e kontrollit në kufi.