Ndërlidhjet

Marrëveshja: Gjykata në Mitrovicë me degë në komunat veriore


Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën marrëveshje për drejtësinë në bisedimet e ndërmjetësuara nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Federica Mogherini.

Marrëveshja u arrit pas më shumë se katër orë bisedimesh.

Në një komunikatë të zonjës Mogherini thuhet se të dy kryeministrat “përmbyllën një kapitull kritik për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që do të përmirësojë në mënyrë substanciale jetën e qytetarëve në terren”.

Zonja Mogherini tha se të dy kryeministrat zhvilluan debate gjithëpërfshirëse për një varg çështjesh si dhe shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e përparimit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiq, janë dakorduar të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute të migrimit të paligjshëm nga Kosova”, thuhet në komunikatën e zonjës Mogherini.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar marrëveshjen e arritur si shumë të rëndësishme.

"Kemi siguruar që të kemi një sistem unitar të drejtësisë në gjithë territorin e Kosovës. Do të vazhdojmë edhe më çështjet e tjera në mënyrë që të integrojmë të gjitha pjesët e vendit dhe të ushtrojmë sovrantitetin në tërë territorin", ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa megjithatë ka bërë me dije se vazhdimi i dialogut do të jetë i ndërvarur nga zhbërja e strukturës ilegale, me emrin, 'mbrojtja civile' në veri të Kosovës.

"Duhet po ashtu të zhbëhen edhe organet paralele të cilat janë vendosur nëpër komuna më shumicë serbe, sepse nuk ka asnjë kuptim, që edhe përkundër marrëveshjes, qeveria e Serbisë tashmë po emëron organe të përkohshme në disa komuna", ka thënë kryeministri i Kosovës, duke kërkuar gjithashtu hapjen e urës qendrore mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës.

Mustafa ka kërkuar po ashtu hapjen e urës qendrore mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës dhe largimin e barrikadës të quajtur "Parku i paqes".

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me marrëveshjen e nënshkruar, pala serbe ka arritur të mbrojë “interesat serbë”...

"Mendoj se arritëm që të sigurojmë që shef i Gjykatës Themelore në Mitrovicë të jetë serb, që të kemi një numër shumë të madh të gjykatësve serb në veri, kurse në Mitrovicën jugore do të jenë 14 me 11 për shqiptarët", ka thënë Vuçiq.

Ai ka sqaruar se Gjykata Themelore në Mitrovicë do t'i ketë degët e saj në Leposaviq e Zubin Potok, kështu që 90 për qind të rasteve, sipas tij, në veri do t'i trajtojnë vetë gjykatësit serb.

Vuçiq ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në gjykatat në veri nuk do të jetë e bazuar në përbërjen e strukturës etnike në atë pjesë, porse serbët do të jenë më të përfaqësuar sesa që do t’iu takonte në bazë të këtij proporcionaliteti.

Ai ka thënë se në gjykatën e Mitrovicës do të ketë nëntë prokurorë serbë dhe nëntë prokurorë shqiptarë, edhe pse përbërja e popullsisë është katër me një në favor të shqiptarëve.

Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, në Prishtinë po priten fillimisht detajet e saj para se të vlerësohet ajo. Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë për mediat vendore se "qëllimi i marrëveshjes është integrimi i pjesës veriore në sistemin e drejtësisë, në zbatimin e ligjeve të Kosovës dhe në respektimin e autoritetit të institucioneve qendrore në çdo pjesë të vendit tonë".

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar si tinëzare marrëveshjen për gjykatat në veri të Kosovës. Vetëvendosje, është subjekti i vetëm politik në Kosovë që ka kundërshtuar në vazhdimësi dialogun Prishtinë - Beograd që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Brukselit.

“Kemi një marrëveshje të re që bëhet në Bruksel se si të ndahet gjyqësia e Kosovës nga Mustafa e Vuçiqi, midis serbëve e shqiptarëve gjithmonë me një kryetar serb aty. Nuk kemi se si ta shohim për shkak se edhe bisedimet e zhvilluara në Bruksel edhe marrëveshja atje janë zhvilluar tinëz popullit të Kosovës dhe Kuvendit të Republikës”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, ky dialog nuk ka si qëllim normalizim e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, por është dialog për sabotimin e shtetësisë së Kosovës.

Kurse politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jakshiq, ka deklaruar se për serbët do të ishte e rëndësishme jo struktura etnike e gjykatësve dhe prokurorëve, por zbatimi i ligjeve të Serbisë në gjykatat dhe prokuroritë në veri të Kosovës.

Përderisa pala kosovare kërkon që në takimin e radhës të diskutohet për zhbërjen e strukturave paralele dhe lirimin e Urës mbi lumin Ibër për të lejuar qarkullimin në të dyja anët e qytetit të Mitrovicës, pala serbe kërkon që në takimin e radhës të diskutohet fati i Trepçës dhe formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Ndryshe, data e takimit të radhës ndërmjet dy kryeministrave nuk është saktësuar ende. Takimi i 9 shkurtit pason një ndërprerje prej dhjetë muajsh, për shkak të zgjedhjeve që u mbajtën vitin e kaluar në Kosovë dhe në Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG