Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka shkaktuar të qeshura ironike dhe zemërim të audiencës në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ai ka mbrojtur aksionet e Moskës në konfliktin në Ukrainë dhe ka akuzuar Perëndimin për thellim të krizës.
Në sesionin pyetje-përgjigje, pas fjalimit të tij të shtunën, Lavrov ka thënë se Krimeja e Ukrainës është bashkuar vullnetarisht me Rusinë, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.
“Ajo çfarë ka ndodhur në Krime parashihet në Kartën e Kombeve të Bashkuara, pra vetëvendosje. Ka disa parime në Kartën e OKB-së dhe vetëvendosja e njerëzve - e drejta e njerëzve për vetëvendosje - zë një vend të rëndësishëm”, ka thënë Lavrov, duke shkaktuar të qeshura.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian akuzojnë Rusinë për aneksim të paligjshëm të Krimesë në muajin mars, që ka pasuar mbajtjen e një të ashtuquajturi referendum.
Shumë shpejt pasi Rusia ka aneksuar Krimenë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me shumicë dërrmuese për të “afirmuar angazhimin e saj” për sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial, duke e cilësuar referendumin në Krime si “të paligjshëm”.
Qeveritë perëndimore dhe Kievi, po ashtu, akuzojnë Kremlinin për mbështetjen e separatistëve pro-rusë, të cilët luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.
Delegacioni i Kanadasë në NATO ka shkruar në Twitter se komentet e Lavrovit janë “përpjekje e trishtuar që të arsyetojë rrëmbimin e Krimesë nga Rusia, me gjuhën e Kombeve të Bashkuara”.
Lavrov ka qenë, po ashtu, subjekt i përçmimit pasi ka shprehur mbështetje për parimet e integritetit territorial dhe të mosndërhyrjes, që parashihen në Aktin Final të Helsinkit, një traktat ky i nënshkruar në vitin 1975 nga 35 shtete, përfshirë Bashkimin Sovjetik.
“Parimet e Helsinkit janë thyer shumë kohë më parë nga aksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre në Jugosllavi, ku kanë bombarduar, në Irak, në Libi, si dhe me zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe me krijimin e linjave të reja ndarëse”, ka thënë Lavrov.
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow, njëherësh ish-ambasador i SHBA-së në Rusi, i cili ka qenë në audiencë, ka akuzuar Lavrovin për hipokrizi.
“Rusia shkel të gjitha parimet e Helsinkit, por ministri i Jashtëm, Lavrov, bën thirrje për riafirmimin e tyre. Logjikë interesante”, ka shkruar Vershbow në Twitter.
Ndoshta shkëmbimi më i tensionuar gjatë paraqitjes së Lavrovit është nxitur nga Elmar Brok, anëtar gjerman i Parlamentit Evropian, i cili i ka thënë ministrit rus se “përshkrimi i tij i situatës në Ukrainë nuk është i saktë”.
“Nuk ka pasur grusht-shtet”, ka thënë Brok, i cili ka marrë duartrokitje nga audienca.
“Është diçka tjetër nëse doni të bëni fjalime të zemëruara për të forcuar pozitën tuaj në politikë dhe në Parlamentin Evropian”, është përgjigjur Lavrov. “Nëse doni të flisni, atëherë le të ulemi dhe të riafirmojmë të gjitha parimet e Helsinkit”, ka shtuar ministri rus.
“Çështja që po diskutojmë këtu, mendoj se nuk është për të qeshur as nga njëra anë, as nga tjetra”, ka përfunduar diskutimin e nxehtë moderatori Wolfgang Ischinger, ish-ambasador i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara dhe kryetar i Konferencës së Mynihut.(v.tela)