Ndërlidhjet

Lindjet me prerje cezariane, në rritje


Në Kosovë, gratë shtatzëna mund të zgjedhin mënyrën se si ato dëshirojnë t’i lindin foshnjat e tyre dhe kjo ka bërë që lindjet me prerje cezariane të shënojnë një trend rritjeje.

Derisa në vitin 2000, lindjet me prerje cezariane kanë qenë 7.5 për qind, në vitin 2014, ky trend është rritur në rreth 33 për qind.

Myrvete Paçarada, gjinekologe, thotë se njëra ndër arsyet e rritjes së rasteve të lindjeve me prerje cezariane, është edhe mungesa e vetëdijes dhe informimit të mjaftueshëm nga ana e nënave për rrezikun që ka prerja cezariane në krahasim me lindjen spontane.

“Shpeshherë nënat dëshirojnë ta lindin foshnjen me prerje cezariane, pasi që nuk munden t’i presin dhimbjet e lindjes prej 16 deri në 18 orë. Janë shumë shkaktarë që kanë sjellë deri te rritja e trendit të prerjeve cezariane, derisa një prej problemeve është që nënat nuk janë të informuara për komplikimet e mundshme të operacioneve apo lindjeve me prerje cezariane”, thotë Paçarada.

Profesionistët shëndetësorë thonë se Kosova nuk ka ligj që i mbron të drejtat e mjekëve, në mënyrë që pa indikacione të mos operohen gratë shtatzëna, derisa këto të fundit mund të zgjedhin për mënyrën e sjelljes në jetë të foshnjës së tyre.

“Ne nuk kemi ligj që e mbron mjekun, përkundrazi kemi ligjin që mbron të drejtat e pacientëve. Nëse pacientja thotë se unë dua të lind me prerje cezariane, nuk ka ligj që e mbron të drejtën e mjekut që është profesionist i asaj fushe, që ta obligojë që nëna ta lindë foshnjën në mënyrë spontane, nëse ajo është e nevojshme”.

“Lindja me prerje është një intervenim shumë serioz. Komplikimet me prerje mund të jenë edhe të natyrës kirurgjike, çdo plagë operative mund të infektohet, si dhe ka edhe shumë mundësi tjera të komplikimeve”, bën të ditur Paçarada.

E lidhur me atë se sa ndikon mënyra e lindjes në shëndetin e nënës dhe fëmijës, neonatologia Mynavere Hoxha thekson se në bazë të studimeve, nuk është parë nëse lindja me prerje cezariane ka ulur vdekshmërinë e foshnjave apo të nënave, krahasuar me lindjet spontane.

“Ne nuk kemi hetuar (vërejtur), se rritja e shkallës së prerjeve cezariane e ka rritur mbijetesën e foshnjave. Është e vërtetë që foshnjat e lindura para kohe, me një indikacion të qëlluar kanë pasur gjasa të mbijetojnë, por kanë qenë lindje binjakë, trenjakë".

"Ne sot jemi dëshmitarë që tash është rritur shkalla e shtatzënive të shumëfishta për shkak të shtatzënive të programuara me IVF, por mbijetesa e fëmijëve është rritur falë përmirësimit të cilësisë së ofrimit të kujdesit shëndetësor, me edukimin e stafit dhe me përmirësimin e kushteve për mbijetesën e të porsalindurit”, shpjegon Hoxha.

Ndërkaq, rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se është e rëndësishme që profesionistët shëndetësorë t’i përmbahen profesionalizimit, parimeve mjekësore dhe rekomandimeve të OBSH-së që dalin duke u mbështetur në hulumtimet shkencore të bazuara, e assesi të mos bien nën ndikimin e presionit të familjes dhe nënave, të cilat nuk janë në dijeni të mjaftueshme për rrezikun dhe komplikimet që sjellin prerjet cezariane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG